OAK-u dhe Dogana e Kosovës diskutojnë për problemet e bizneseve

Mosnjohja e plotë e lëndës së parë për prodhuesit, mungesa e unifikimit të vendimeve ndërmjet komisionit për lirim të lëndës së parë ndërmjet Doganës dhe ATK-së, ndikimi i zbatimit të vendimit të Qeverisë nr. 17/36 me të cilën ndryshohet vlera e shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve, ishin disa ndër temat e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me drejtorin e përgjithshëm të Doganës, Agron Llugaliu.

Në një njoftim për media nga OAK-u thuhet se kryetari i Bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi, përgëzoi Llugaliun për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës, me bindjen që së bashku mund të përkrahim bizneset, ashtu që të thjeshtësohen procedurat burokratike më të cilat ata po ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë biznesore.

Krasniqi theksoi që një ndër sfidat me të cilat bizneset prodhuese po ballafaqohen është mosnjohja e plotë e lëndës së parë, gjë e cila po vështirëson që bizneset vendore të dalin në treg me çmime konkurruese.

Tutje, Krasniqi informoi që bizneset po ballafaqohen vazhdimisht edhe me rivlerësime të mallrave, e sidomos te produktet të cilat blihen në ankande.

“Ndërsa sfidë e madhe për bizneset u konsiderua edhe implementimi i Vendimit nr. 17/36, përmes së cilit u ndryshuan tarifat e shpenzimeve të transportit detar dhe kontejnerëve dhe që nuk po pranohen çmime më të ulëta se sa ato të paraqitura në vendim”, thuhet në njoftim.

Nënkryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Arsim Selmonmusaj, theksin e vendosi te problemet që bizneset po hasin lidhur me kodet tarifore dhe origjinën e tyre, sidomos gjatë bashkëpunimit me Shqipërinë.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, përgëzoi Odën për punën dhe shtoi që e vlerëson bashkëpunimin me odat, si partnere strategjike dhe profesionale.

Lidhur me lirimin nga lënda e parë, Llugaliu theksoi që lirimi nga Dogana është më i ndjeshëm dhe më i komplikuar sesa ai nga TVSH-ja, për këtë arsye ndodhin mosharmonizimet ndërmjet vendimeve. Ai tutje theksoi që janë duke punuar në këtë drejtim, ashtu që të bëhen modifikimet e nevojshme, ashtu që të përkrahen sa më shumë prodhuesit vendorë.

Sipas Llugaliut, ky vit është tejet i suksesshëm në aspektin e uljes së informalitetit, ndërsa në aspektin e zhdoganimit të dërgesave mund të konsiderohemi si shteti më efikas në rajon, pasi më shumë se 80% e dërgesave kalojnë procedurat e zhdoganimit brenda një ore.

Ismail Shallti, pronar i biznesit anëtar në OAK, Euro Fisi, prezantoi nga afër sfidat, me të cila ata si prodhues po ballafaqohen, e për të cilat nga afër pranoi edhe përgjigje konkrete.