(Mos)faktorizimi i shqiptarëve përballë lojërave oborrtare maqedonase
Lojërat oborrtare të segmenteve të caktuara politike të shqiptarëve, të veshur lirë me kimonot e industrisë karamelizuese, kanë trimëruar LSDM –në dhe VMRO-në që të projektojnë ide për shtetndërtim pa shqiptarët. Por, edhe logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.
Nga segmente të caktuara të politikës shqiptare, por edhe të një pjese të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, LSDM dhe VMRO ende perceptohen si faktorizues dominantë, pa të cilët nuk ngrohë dielli në oborret e varfëra të shqiptarëve, Deri më tani nuk ka ndodhur (me ca përjashtime) që ky faktorizim të bëhet në saje të unitetit brendashqiptar dhe ofertës së përbashkët kundrejt politikës maqedonase. Duke e hetuar këtë dobësi të shqiptarëve, Gruevski më parë dhe Zevi tani, , prodhojnë karamele për të joshur ambiciet karamelizuese oborrtare të aparatçikëve shqiptarë.
Këta të fundit, të joshur nga kjo industri informale karamelësh, jo rrallë këmbejnë kauzat e tyre kombëtare- partiake me ndonjë favor të vockël që mund ta marrin nga politikanët sllavë.
Shtetndërtimi maqedonas a është i mundur pa shqiptarët Lojërat oborrtare të segmenteve të caktuara politike të shqiptarëve, të veshur lirë me kimonot e industrisë karamelizuese, kanë trimëruar LSDM –në dhe VMRO-në që të projektojnë ide për shtetndërtim pa shqiptarët.
Deklaratat e mëhershme të Gruevskit se maqedonasit duhet të marrin shumicën e vendeve në Parlament për t’u ikur kushtëzimeve të shqiptarëve, apo livadhisjet e Zaevit nëpër vendbanimet shqiptare për të ‘’peshkuar’’ sa më shumë shqiptarë ‘’indiferentë’’, flet edhe njëherë për falsitetin e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, që zakonisht projektohen mbi interest unitare të njërës palë dhe mbi inferioritetin e palës tjetër.
Sado që t’i trajtojmë si nevoja për për konsum të brendshëm dhe për efekt elektoral këto angazhime të politikanëve maqedonas, ato si e të tilla, megjithatë, janë sinjal i keq se Maqedonia vazhdon farsën e shtendërtimit të njënashëm, duke i trajtuar shqiptarët si kontributorë, por jo edhe si shteformues të Maqedonisë. Në defektet e këtij keq-drejtimi kanë shumë faj edhe forcat kryesore politike shqiptare, të cilat me sjelljet dhe qëndrimet e tyre, jo rrallë kanë lajthitur edhe faktorin politik maqedonas, tek i cili kanë injektuar një lojalitet blanko për shumë çështje, e sidomos për çështje të karakterit ndëretnik.
Në disa raste fitohej përshtypja se ndonjë politikan shqiptar, në tentativën e tij të pasuksesshme për të korrigjuar imazhin e keq të Maqedonisë në botë, bënte edhe ministrin e Jashtëm, por pa dimensionin e përfaqësimit të interesit dhe legjitimitetit shqiptar. Shumë kancelari të botës që janë vizituar nga politkanë të tillë, sot janë shumë të bindur se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kurrfarë problemi me politikën refuzuese maqedonase dhe çdo përpjekje tani për ta prezentuar këtë politikë ndryshe nga ajo që është reklamuar kohë më parë, del komike dhe e paefektshme.
Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve mund të degradohen edhe në të ardhmen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt në gjetjen e një kompromisi afatgjatë, duke ndërhyrë në ato çështje që barasvlerësojnë cilësinë e përfaqësimit përmes projekteve konkrete e shumë urgjente dhe kapacitetin e shtetndërtimit, përmes kuadrove profesionalë e jo aparatçikëve të dëgjueshëm që frik e frikë bëhen të ‘’ditur’’ duke kaluar natën nëpër ofiqinat e fotokopjimit të diplomave.
Argatët shqiptarë në oborret politike maqedonase Sigurisht që në të kaluarën Gruevski nuk do ta përdorte diskursin e tij ksenofobik sikur të mos ishte edhe një qëndrim jo shumë i qartë i bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Shkupit zyrtar, për faktin se ajo si tepër i ka kushtuar vëmendje raporteve të jashtme të Maqedonisë dhe fare pak është marrë me raportet e brendshme të saj.
Marrja gjatë gjithë kohës e bashkësisë ndërkombëtare (Brukseli, Uashingtoni) me kontestin që ka Maqedonia me Greqinë dhe sfidat që ajo i kishte në rrugën e (mos)integrimeve euro- atlantike, krijoi një bindje të sforcuar tek forcat nacionaliste maqedonase se politikat e tyre retrograde, të orientuara kryesisht kundër shqiptarëve, mund të kalojnë pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Të urojmë që këto lajthitje të mos ndodhin edhe tani në vlugun e këtyre turbulencave politike për shumicë të re/ të vjetër parlamengtare, sidomos kur politikat e përgjumura të Zaevit mund të prodhojnë argatë të rinjë të industrisë së karamelave, kur shqiptarët si zakonisht tregohen degustues të zellshëm të produkteve të tilla.
Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre. Gara për t’i nxjerrë syrin njeri tjetrit dhe vrapi për të siguruar sa më shumë vota në favor të partisë së Zaevit, i bënë një pjesë të shqiparëve të Maqedonisë do fare kopje të zbehta të sanço pançove pa brekë, të cilëve do t’ua kishte zili edhe Servantesi po të ishte gjallë.
Jo pak shqiptarë, tash dhe në të kaluarën, kush më shumë e kush më pak, kush më hapur e kush më tinëz, kanë bërë gara që të jenë më afër partive të caktuara maqedonase dhe axhendave të tyre për të siguruar edhe një mandat qeverisës dhe shumë më larg projekteve e ideve që do të mund të galvanizonin ecjen e shqiptarëve me energji të përbashkëta drejt një ardhmërie të përbashkët.
Politikanët dhe aktivistët e ndryshëm mund ta konsiderojnë legjitime zgjedhjen e rrugëve dhe strategjive për të synuar pushtetin, por kur ato bëhen jotransparente dhe shumë ordinere, për qëllime të ngushta grupore e individuale, atëherë janë të kota përpjekjet e tyre për të na bindur se të gjitha këto manovrime i bëjnë për të mirën e shqiptarëve. Mjafton të shikohet në retrospektivë se cilat kanë qenë marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë me situatat e caktuara në prag të zgjedhjeve.Me saktësi matematikore mund të vërehen se ata u ngelin besnik manirave të tyre për të bërë politikë të pasinqertë e besëprerë ndërmjet veti, por shumë të hapur e të sinqertë me partnerët maqedonas.
Perceptimi i vetvetes si oborrtarë të vegjël me ambicie të mëdha për përfitime personale, i bën aparatçikët e caktuar shqiptarë edhe më të lexueshëm para publikut shqiptar, sepse përvoja dhe memoria kolektive ka siguruar një minimum standard mbamenjejej sa për të dalluar sinqeritetin nga dallavera, interesin publik nga ai personal. Patriotizmi i harxhuar i këtyre tipave mund të zgjojë ndonjë adrenalinë të fjetur dikund-dikund, por jo edhe kundërvënie ndaj politikave karameizuese të Zaevit e Gruevskit.
Në funksion të strategjisë për të zgjedhur gjoja midis shiut e breshrit, disa megafonë dhe reprezentë të shoqërisë civile, që zakonisht flasin njëfarë gjuhe të unitarizmit të tejkaluar maqedonas, ua kanë imponuar votuesve shqiptarë edhe një alternativë qëshkon përtej kampusit elektoral shqiptar, duke e prezantuar LSDM-në si ventilin e vetëm ku mund të shfryhen frustrimet dhe pakënaqësitë e shqiptarëve.
Përpjekja për ta paraqitur shoqërinë shqiptare pa alternativë politike e civile, ndërkohë që ajo është prezente dhe shumë aktive, e bënë edhe më problematike marrëdhinen që mund të krijojë politika maqedonase me një pjesë të shqiptarëve, duke ua hequr atyre akrepat e orës politike. Nëse ndodhë kjo, atëherë tiktaku i kohëmatjes për një pjesë të shqiptarëve në të ardhmen mund të trokas në ndonjë sahatkullë të Strumicës a Vallandovës, ndërkohë që brirat e politikës shqiptare mund të thyejnë rekorde absurd të brendapërleshjes për do funksone që reahtojnë individë, por jo edhe shqiptarët. Këta të fundit kanë nevojë të faktorizohen përmes projekteve urbane, sociale, kulturore e ekonomike të përfaqsuesve legjitimë të tyre, e jo përmes sponzorizimeve jeniçere që impjanet parapolitike i paketojnë si ‘’produkte vendore’’, paçka se etiketat e tyre mund të jenë shtypur që moti në ofiçinat politikave asimiluese.
Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake
Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti të pakuptimtë. Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur fal mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.
Në emër të organizimit autokton e autentik të jetës politike, shqiptarët e Maqedonisë u larguan nga idetë pak a shumë panshqiptare dhe kjo nuk mbeti pa u reflektuar pastaj në marrëdhëniet politike e institucionale me maqedonasit. Prishtina, si qendër, që për vite të tëra nuk shkolloi vetëm profesorë, mjekë, inxhinierë shqiptarë nga Maqedonia, por krijoi parakushte edhe për një pikë referuese të zhvillimeve të shumta në politikë dhe në jetën kombëtare përgjithësisht, gradualisht dhe padrejtësisht filloi të zëvendësohet nga Tetova. Kjo e fundit arriti të grumbullojë partiakisht trurin e shqiptarëve, por jo edhe të ridimensionojë fuqinë ndikuese të intelektualëve në politikë, siç e bëri Prishtina me dekada të tëra. Kjo qasje tepër e ngushtë që kishte për bazë ekskluzivisht përshtatshmërinë dhe dëgjueshmërinë partiake në dëm të kapaciteteve intelektuale e krijuese shqiptare, kryesisht atyre të shkolluar në Prishtinë, i bëri dëm të pariparueshëm politikëbërjes shqiptare në Maqedoni.
Kjo zhveshje e politikës nga bagazhi intelektual i ndihmoi procesit të degradimit të ideve nga niveli i shteformimit në skema konjukturale që kushtëzoheshin prej marrëdhënieve politike të partneritetit shqiptaro-maqedon brenda koalicioneve bashkëqeverisëse.
Një skematizim i tillë i organizimit politik të shqiptarëve, solli surrogate të papëlqyeshme të teknologjisë së pushtetbërjes, duke nxjerrë në pah pragmatizmin partiak para kauzave afatgjate kombëtare.
Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare , fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase, për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dal e para në zgjedhje, të ketë përfshirë në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonjë gjetje interesante nga platformat e partive tjera simotra shqiptare në Maqedoni.
Rrëshqitja e shkallëshkallshme e shqiptarëve në hendeqet e kolacionimeve me maqedonasit
Dy opsionet dominante maqedone që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për ‘’bashkëshortësi’’ të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedone.
Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve.
Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi.
Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë . Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevojitet një front i vetëm veprimi e mendimi, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone të cilat ende shkëlqimin e tyre e masin me errësirën e sinkopave shqiptare.
Në Maqedoni plot mandate deputetësh e kryeministrash janë fituar duke i sharë shqiptarët. Kjo “vjelje” rentabile e votave nacionaliste për të siguruar mandat politik mbi urrejtjen dhe mosdurimin ndëretnik, ka funksionuar në të kaluarën si mjet që kompensonte ofertat e mirëfillta për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.Por, nuk e paskemi ditur që kjo sezonë gjahu mbi shqiptarët, të përsëritet sërish në Maqedoni. Nuk duhet patur kurrfarë dileme se dallimi i VMRO-së dhe LSDMës në raport me shqiptarët qëndron vetëm në ideologjitë e tyre dhe secila në mënyrën e vet arrin të prolongojë pikërisht ato çështje që avancojnë statsusin e shqiptarëve.Prandaj është koha që shqiptarët t’iu kthehen partive të tyre dhe të kërkojnë me ngul nga ato të jenë reprezentuese të denja të interesave të shqiptarëve. Çdo iluzion tjetër që krijon përshtypje të rrejshme për gjoja dashamirësinë e partive maqedone kundrejt shqiptarëve, duhet të na shërbej si shkollë politike që na mëson të dallojmë demagogjinë prej vizionit, multietnicizmin e rrejshëm prej bashkëjetesës së sinqert, shqipfolësit e partive maqedone prej politikanëve të ndershëm shqiptar etj. etj.
Që palët e konfrontuara në Maqedoni të mos kenë edhe në të ardhmen spiranca avokatie ku do të mund t’i lidhnin barkat e tyre të lodhura, njëri në Sofje te Borisovi e tjetri në Moskë te Putini, atëherë imponohet si e domosdoshme një prani më e shtuar e diplomacisë amerikane në Maqedoni, që do të rezultonte në formimin e një qeverie kalimtare këtu, me një rol më domethënës të shqiptarëve, e cila brenda dy viteve do të arrinte t’i “hekuroste” shumicën e gungave në relievin e trazuar politik të Maqedonisë.
Paradoksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase qëndron tek mosdefinimi i pozicioneve që do të bënte diferencimin substancial në mes të lojalitetit blanko dhe kooperativitetit. Shqiptarët në Maqedoni janë të shquar për një lojalitet gandist kundrejt politikave shtetformuese maqedonase, mirëpo, çuditërisht, nuk e kanë rrumbullakësuar për vete procesin e shtetformimit.
Shqiptarët në Maqedoni ishin edukuar politikisht të jenë lojalë ndaj shtetit, sepse moslojaliteti i tyre, siç iu kanë thënë, po e prishka shtetin. Nga zelli i madh për të mos lejuar prishjen e shtetit, shqiptarët u bënë aq shumë lojalë sa harruan ta faturojnë për interesa të tyre këtë qasje ekstreme lojaliste.
Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta e deri më sot? Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po në vitet njëzetë e këndej, si është realiteti?
Lojaliteti i shqiptarëve si terapi gjeopolitike
Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi u thoshte shqiptarëve: rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve u thuhet gati e njëjta gjë, por me një konotacion dhe ambalazh tjetër. Tani u thuhet shqiptarëve se duhet të rrinë urtë sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar
Maqedoninë dhe, për pasojë, për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit! Madje, me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas, në librat e tyre shkollorë, pa fije turpi dhe papengueshëm, mund t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.
Në njërën anë shqiptarëve u kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse, në anën tjetër, ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti.Madje, shqiptarët si “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë” qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).
Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoni. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe ajo e përfaqësimit adekuat, por të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për Shtetësi ku kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë është njohja e gjuhës letrare maqedonase.
Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe, për pasojë, plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen me shtetësi vetëm sepse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët do ta merrnin me automatizëm shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodh, sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas.
Shqiptarët në mes të të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese Kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në tëcilin askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, kështuqë shqiptarët, megjithatë, rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.
Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite, për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’u teket dhe të vendosin si t’u teket, pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.
Për çka flet kjo?
Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtyllë të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës (“ë”) të këtyre shtyllave. Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit ( të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kg. të drejta) duhet t’i kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënievenë mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit, për të mos hyrë shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blejë me kilogram, por kokrra- kokrra, shalqirin ta blejë me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.
Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni nuk jeton kombi autokton shqiptar, por “një pjesë të kombit shqiptar” që ndodhet dikund, jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë do kalimtarë të rastit që i kanë hapur çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”.
Me fjalë të tjera, shqiptarët , sipas Kushtetutës aktuale, e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si edhe hapësira që zënë ato aktualisht përcaktohen me ligj.
Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë prej 20 për qind që e flet atë gjuhë.
Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse këtë ua garanton ligji.
Perceptimi për lojalitetin ekstrem të shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë shpërfaqet edhe në një rrafsh tjetër. Nëse dje gruevizmi shërbente për të kamufluar feudalizmin oligarkik të një kaste njerëzish që politikën e mbindërtonin mbi një doktrinë mafioze për t’u pasuruar, zaevizmi sot po e përdor një doktrinë krejt tjetër, e cila mund të jetë shumë më e dëmshme, sepse përmes asimilimit politik të shqiptarëve, ai po mundohet të katapultojë koncepte të paqarta si “një shoqëri për të gjithë”, me kusht që fuqia faktorizuese e shqiptarëve të reduktohet në përfaqësime grupore dhe individuale.
Shqiptarët nuk i kanë fajet pse Zaevi qëndron keq në sondazhe kundrejt VMRO-së (edhe sipas sondazhit të fundit) dhe është e pandershme që ata (shqiptarët) të përdoren vetëm si “doping” në garën politike LSDM-VMRO.
Për rrjedhojë, ashtu siç ndodh me efektet e antidopingut që, pa humbur kohë, i diskualifikon pjesëmarrësit në garat sportive, ngjashëm ndodh edhe me këtë arenën tonë qesharake politike, ku shqiptarët, menjëherë pas zgjedhjeve, nga “fusha sportive” i vendosin në “tribunën e shikuesve”. Ka plot shqiptarë sot që, duke qenë në “tribunën e shikuesve”, mundohen të na bindin se Zaevi është burrë më i mirë se Gruevski dhe mjaftohen me faktin se Gruevski nuk është fizikisht në pushtet, por harrojnë se hija e tij, gruevizmi, vazhdon të mbetet gjallë nëpër institucione të caktuara.
Gruevizmi ende është pjesë e praktikave të pushtetit aktual, sidomos në sistemin e drejtësisë, ku ka plot procese të montuara nga koha e Gruevskit (Monstra, Kumanova, Alfët, etj.) por që vazhdojnë të prodhojnë efekte dëshpëruese edhe në kohën e Zaevit.
Të gjithë ata shqiptarë që kanë votuar për Zaevin këtë e kanë bërë edhe me bindjen se këto procese të montuara do të rishqyrtohen dhe drejtësia do të vendoset në binarët normalë, duke i liruar nga burgimet e përjetshme njerëzit e pafajshëm, siç janë djemtë e rastit “Monstra”, të rastit “Kumanova”, të rastit “Alfa”(Rexhail Qerimin nga Opaja e Kumanovës dhe Almir Drpljani nga Shkupi) dhe një rast tjetër që ka të bëjë me një shqiptar nga Xhepçishti i Tetovës.
Aspiratat ekstra-territoriale të serbëve të Kosovës dhe shtetformësia e shqiptarëve të
Maqedonisë Procesi shtetformues i shqiptarëve në Maqedoni duhet patjetër të përmbyllet, sepse është tendencë e kohës që kjo çështje të mos ngelë barrë e gjeneratave të ardhshme, të cilat do t’i kenë problemet e njëjta si ne tani, nëse statusi i tyre vazhdon të trajtohet me ligje kontradiktore e konfuze.
Një parlament dydhomësh dhe një kushtetutë që do të derivonte statusin shtetformues të shqiptarëve do të ishin zgjidhjet optimale për shqiptarët në Maqedoni. Në të kundërtën, shqiptarët në Maqedoni do të mund të ndjekin modelet dhe formulat e zgjidhjes së çështjes serbe në Kosovë, sidomos tani, në prag të përmbylljes së dialogut Kosovë –Serbi. Bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, para se ta detyrojnë Prishtinën zyrtare të bëjë kompromise në favor të kërkesave që përkufizojnë statusin ekstra territorial të serbëve të Kosovës, do të duhej të bëhen gati të dëgjojnë edhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues.
Matematikisht dhe logjikisht do të duhej të hidhen në kantar këto kërkesa dhe të shihet se cilat janë më të kapshme dhe më pak të dëmshme për stabilitetin e rajonit: kërkesat për status ekstraterritorial të serbëve të Kosovës apo kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues?