“Çfarë i irritoi njerëzit që hynë në ambasada”- Zbulohet dokumenti i Sigurimit mbi komentet e gazetarëve të huaj nga Tirana

Zhvillimet e vrullshme të fundvitit ‘90, ku Shqipëria tentonte të hidhte hapat e parë drejt shoqërisë së hapur, pas një lëngimi gjysmëshekullor nën regjimin komunist, zgjuan interesimin e mediave të huaja. Shkërmoqja e vendit të fundit stalinist të Europës, për herë të parë zinte fokusin kryesor të tyre. Lajmet e reja nga “Toka e shqiponjave” kishin nisur që me vërshimin biblik të shqiptarëve në ambasadat perëndimore në Tiranë në fillimkorrikun e 90-ës. Ndërkaq, përpos të tjerave, vizita për herë të parë e Ramiz Alisë, Presidentit të fundit komunist në OKB dhe fjala e tij aty, komentoheshin si nisja e një rruge pa kthim të Shqipërisë së shumëvuajtur drejt Perëndimit dhe shoqërisë kapitaliste. Ritmi i lëvizjes dhe mënyra e hapjes mbetej dilema e vetme e zhvillimeve të nisura.

Rreth këtyre çështjeve bën fjalë dokumenti që publikojmë sot për herë të parë me komentet dhe konstatimet e gazetarëve të huaj që kanë mbërritur në Tiranë në dhjetorin e vitit 1990 për të ndjekur Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit. Është një informacion konfidencial i ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, për shefin e tij, Ramiz Alia, dhe Kryeministrin e kohës, Adil Çarçani, me gjetjet më pikante nga përgjimi i bisedave të gazetarëve të huaj me kolegë të tyre shqiptarë dhe qytetarë të zakonshëm. Ndër to bie në sy reagimi i gazetarit suedez me origjinë nga Kosova, Milaim Zeka, i cili shprehet haptas se Shqipërinë komunizmi e la vendin më të varfër të Europës.

Ai nuk e ka për herë të parë që gjendet në Tiranë, prandaj, ndryshe nga kolegët e tjerë, e njeh nga afër dhe me rrënjë situatën.

Jo rastësisht vartësit e Hekuran Isait kanë nënvizuar rebelimin e tij, që i kapërcente dhe qëndrimet e kolegëve. “Pse duhet ta mbani akoma Stalinin në Tiranë? A nuk ishte ai që deshi t’ia aneksojë Shqipërinë Jugosllavisë?!”.

Gazetari i njohur, Milaim Zeka, është ndër të rrallët që ka ndjekur e ka raportuar për median perëndimore luftimet e UÇK-së nga fronti. Sakaq, mbetet ndër të më të ndjekurit në radhën e analistëve dhe opinonistëve të medias në Shqipëri dhe Kosovë.

Nga informacioni i Hekuran Isait për kupolën e shtetit, rreth komenteve të gazetarëve të huaj që ishin ato ditë mysafirë në Tiranë, bie në sy interesimi i këtyre të fundit për t’u takuar me personalitete vendase që kishin tërhequr vëmendjen për qëndrime progresiste dhe qasje të guximshme në shtypin e kohës, të tillë si Ismail Kadare, Sali Berisha, Ylli Popa, Gramos Pashko etj. Po çfarë përmban tjetër dokumenti i Ministrisë së Brendshme drejtuar Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait?

Lënda: Për disa komente dhe interesime të gazetarëve të huaj që kanë ardhur në Tiranë për të ndjekur zhvillimin e punimeve të Konferencës së Ministrave të Punëve të Jashtme

IU DËRGUA SHOKUT RAMIZ E ADIL

Nga gazetarët e ardhur për të ndjekur punimet e Konferencës Ballkanike në Tiranë, deri tani janë zhvilluar këto komente:

Mats Svenson, gazetar në Radio Televizionin Suedez, i cili ka qenë pesë herë në vendin tonë dhe në janar të vitit 1990 ka bërë një emision televiziv, që është vlerësuar pozitiv, rezulton se njeh të gjithë artikujt kryesorë të botuara në shtypin shqiptar. Misioni i tij është që të japë një panoramë të gjendjes në Tiranë në prag të mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve ballkanike. Në fillim do të bëjë një transmetim prej 10 minutash.

Do t’u marrë intervista personaliteteve politike, ekonomike, shkrimtarëve etj. Ai insiston të marrin në intervistë Presidentin e RPSSH. Dëshiron të shkojë edhe në ndërmarrje të ndryshme ekonomike dhe të intervistojë punëtorë të ndryshëm. Është shprehur se “kam dëshirë të intervistoj shokët: Ismail Kadarenë, por më vjen keq që nuk ndodhet këtu, pasi ka shkuar jashtë shtetit; Dritëro Agollin, Neshat Tozajn, Sali Berishën, Ylli Popën” etj. Ai vazhdon: Do të ishte fat i madh për mua dhe një gjë e shkëlqyer për Shqipërinë po të më jepej mundësia të intervistoja Presidentin tuaj. Më kanë pëlqyer artikujt e shkruar në shtypin tuaj nga disa personalitetet shqiptare”.

Lidhur me masat e marra për demokratizimin e vendit tonë, Mats Svenson është shprehur: “Që demokracia të jetë e plotë te ju, duhet të vendoset pluralizmi politik. Më pëlqen që demokratizimi i vendit tuaj të bëhet jo i nxituar dhe të mos ndodhë si në Rumani e Bullgari. Unë e simpatizoj Shqipërinë”. Në vazhdim të bisedës, thotë: “Unë dëshiroj të shkoj në Kavajë, për arsye se shumë gazeta perëndimore kanë shkruar që në këtë qytet gjatë muajve gusht-shtator kanë ndodhur trazira, janë bërë demonstrata. Dua të vizitoj qytetin dhe të marr intervista në një qendër punëtorësh. Dhënia e menjëhershme e pasaportave për shqiptarët që u futën në ambasadat e huaja në Tiranë, ishte zgjidhja më e mirë. Unë e kuptoj se futja e tyre në to në një kohë kur kishte dalë ligji për pajisjen e shtetasve me pasaporta është bërë me qëllim që ata të merrnin statusin e refugjatit dhe të ndihmoheshin nga qeveritë e atyre vendeve. Në shtypin Perëndimor, përfundon ai, ka bërë jehonë veçanërisht romani “Thikat, si një libër që kritikon organet e Sigurimit të Shtetit”.

Melaim Zeka, shqiptar nga Kosova, i larguar në vitet 1981-1982 me punë në Norvegji e Suedi, ardhur në vendin tonë si përkthyes i gazetarit Svenson, është shprehur: “Unë më parë kam përkrahur ideologjinë marksisteleniniste, por tani kam kuptuar se kjo ideologji dhe ky sistem shoqëror që bazohen në këtë ideologji nuk është i mirë, sepse e kanë lënë vendin shumë mbrapa. Marksizëm-leninizmi nuk është ideologjia që i përshtat Shqipërisë. Shqipëria duhet të gjejë një mënyrë apo formë që të plotësojë nevojat e popullit. Ideologjia më e mirë është ajo që i shërben atdheut. Fjala e shokut Ramzi në OKB ishte fjalimi më i mirë i deritanishëm dhe ai foli për të gjitha problemet e kombit shqiptar dhe jo vetëm për Kosovën… masat demokratizuese që janë marrë në Shqipëri, duhej të ishin marrë më përpara.

Shqipëria si para dhe pas çlirimit, ka qenë dhe është vendi më i varfër në Europë. Përse duhet ta mbani Stalinin? Ai ka qenë personi që i ka bërë thirrje Jugosllavisë për të aneksuar Shqipërinë. Titua ka qenë maskara dhe njihet në botë, por Stalini ka dashur të aneksojë Shqipërinë. Unë për këtë kam lexuar në arkivat e Suedisë… Dëshiroj të shkoj në Kavajë për të intervistuar, pasi atje është bërë demonstratë dhe është vrarë një njeri. Gjithashtu na janë dhënë 10 mijë dollarë për të marrë në intervistë Presidentin tuaj. Kjo intervistë do të shitet në vende të tjera dhe do të sigurojmë fitime të mëdha”.

Ciril Staigen, gazetar zviceran me qendër në Vjenë, është interesuar dhe ka pyetur: “Si ndodhën ngjarjet e 2 korrikut në Shqipëri? Çfarë e irritoi popullin që doli në demonstratë e hyri në ambasadë? Ka tani në Shqipëri strese të tilla? Pse nuk e hiqni edhe ju komunizmin, ashtu siç e hoqi Lindja? Iniciativë e kujt ishte rrethimi me mure i ambasadave, kërkuan ata që të mbroheshin. Apo patët frikë ju? Familjet e refugjatëve që kanë mbetur këtu, si trajtohen? Do të lejohen ata që të shkojnë e t’i takojnë refugjatët, po konsekuenca ndaj tyre a ka pasur?”. Më poshtë, Ciril vazhdon: “Si funksionon tregu privat dhe si çelen kreditë nga shteti për të ndihmuar privatizimin? Këto ndryshime e rregulla të reja që po vendosni, u bënë si pasojë e demonstratave, ngjarjeve në Europën Lindore apo i kishit parashikuar qysh më parë? Megjithatë, bkëto probleme do t’i shikojmë edhe verifikojmë edhe vetë”, përfundon ai.

Zoran Dobronchov, gazetar i Tanjug-ut, është interesuar të dijë në ka ardhur Zhozef Kenedi, sepse, shprehet ai: “Po të ketë ardhur, ky është një lajm i dorës së parë”. Gjithashtu ai pyet: Sa pasaporta për jashtë vendit janë dhënë?

Vladimir Matoviç, gazetar i “Borbës”, pyet për gjendjen në Shqipëri nëse ka akoma kërkesa për t’u futur në ambasadat e huaja dhe pse shkuan njerëzit në ambasadë për të dalë jashtë shtetit?

Branko Joviç, gazetar i “Dellos”, ka kërkuar të intervistojë autorin e romanit “Thikat”, sepse, sipas tij, ka tërhequr vëmendjen e opinionit të jashtëm.

Laura Sillber, gazetare e “Zërit të Amerikës”, ka kërkuar në telefon familjen e Gramoz Pashkos dhe pasi ka folur me dikë në këtë familje ka kërkuar takim për pasditen e datës 22.10.1990 me Gramozin. Në orën 20:00, Gramoz Pashko ka shkuar në hotel “Tirana” ku qëndroi rreth një orë dhe ka dalë përsëri. /panorama.al