50 fshatra në Kosovë janë të zbrazëta
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka mbajtur tryezë me rastin e shënimit të 8 Nëntorit – Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve, me temën “Raporti Qytet – Fshat”.
Ministri Liburn Aliu tha se duhet të ndalet zgjerimi urban i paplanifikuar dhe se ka nevojë për planifikim që të mbahet nën kontroll zhvillimi urban.
“Raporti qytet-fshat ka qenë një ndër temat që vazhdon ende të jetë temë diskutimi. Dua ta ndal zgjerimin urban edhe nëpër zona rurale. Nëse kishim me pa gjendjen ekzistuese sot dhe mënyrën se qysh kemi zona të shpërndara urbane, zgjerim urban, të parregullt kudo nëpër territorin tonë, atëherë kanë të drejtë ata të thonë se duhet t’ia vëmë një kufi kësaj.
Zgjerimet urbane çfarë i shohim çdo ditë, e para, janë zgjerime joefiçiente. Krejt ata banorë të rinj që jetojnë nëpër zona periferike të shpërndara detyrohen të vijnë në qytet për shërbimet e veta që i kanë dhe të ndotin me makina dhe të bëjnë ngarkesa në trafik kudo. Përderisa zhvillimet urbane kanë qenë të orientuara vetëm kah profiti i kompanive dhe jofunksionimi real i qyteteve, ne e kemi sot gjendjen kështu. Na kemi nevojë për planifikim të mjedisit, ekonomik, qysh kemi me vu nën kontroll zhvillimin urban”, u shpreh ministri Aliu, transmeton Zeri.info.
Luan Nushi, drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor, tha se rreth 50 fshatra janë të zbrazëta, duke shtuar se këto vendbanime janë lënë anash.
“Sot është Dita botërore e planifikimit të qyteteve dhe ne si ministri dhe si institut sivjet e shënojmë këtë ditë me temën e raportit qytet-fshat. Momentalisht fshati është lënë anash”, tha Nushi, duke treguar se cilat komuna kanë më së shumti fshatra.
“Rreth 50 vendbanime në Kosovë janë të zbrazëta, që zakonisht janë fshatra, pa asnjë banor. 5 vendbanime janë të banuara me vetëm 2 banorë. Mbi 40 vendbanime kanë më pak se 10 banorë. Në planin hapësinor të Kosovës, një nga objektivat është konsolidimi i tokave bujqësore, i cili flet edhe për urbanizimin e fshatrave me të gjithë infrastrukturën përcjellëse”, deklaroi Nushi.
Binak Beqaj, ligjërues në UBT, tha se kjo tematikë është çështje aktuale edhe për vendet e zhvilluara dhe se duhet që të analizohet zhvillimi urban.
“Jemi dëshmitarë të zhvillimeve aktuale që lidhen me zonat urbane. Raporti urban-rural duhet të analizohet nga disa këndvështrime, si nga ai politik qeverisës, territorial hapësinor, ekonomik zhvillimor, hapësinor integrues dhe social shoqëror. Ka fshatra që janë në zhdukje dhe ka edhe që janë shuar”, deklaroi ai.
Rudina Qerimi, nga GIZ-i, tha se 1000 hektarë tokë bujqësore humbin në vit, madje sipas saj mungojnë politika që mund ta ngjallin jetën sociale në fshat.
“Projekti ynë ka filluar në vitin 2017. Projektet kryesore janë 10 komuna partnere. Mungojnë politika të qarta që munden me ngjall jetën sociale në fshatra. Të gjitha fshatrat janë të braktisura. Ka humbje të vazhdueshme të tokës bujqësore”, theksoi Qerimi, duke shtuar se të gjitha fshatrat në zonat kufitare janë të braktisura. /Zëri