Vetëvendosja organizon fluturime nga Zvicra për balotazh
Një linjë fluturimi me vajtje-ardhje nga Cyrihu në Prishtinë do të financohet nga Lëvizja Vetëvendosje vikendin e ardhshëm.
Dega në Zvicër e Lëvizjes Vetëvendosje, ka organizuar udhëtim me avionë për votuesit potencial të saj në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, bazuar në një njoftim të kësaj dege në Facebook.
“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër organizon fluturime për fundjavën e balotazhit të 14 nëntorit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, udhëtimi nga Cyrihu drejt Prishtinës për votuesit potencialë të Lëvizjes Vetëvendosje është caktuar për të shtunën e 13 nëntorit, një ditë para ditës së zgjedhjeve.
Ndërkaq, kthimi është caktuar për të dielën.
“Bashkë qeverisim edhe me komunën! Bashkë është e mundshme”, përfundon njoftimi i Degës së LVV-së në Zvicër.