Miratohet buxheti 2022, 100 milionë ndahen për Ushtrinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, 8.7 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti, apo 220 milionë euro më shumë, raporton Zeri.info.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij ka thënë se “këso buxheti nuk ka pasur asnjëherë Kosova”.

“Sot me 29 tetor 2021 me ç’rast kam kënaqësinë që ndodhemi bashkë që për herë të parë të votojmë një buxhet që është i yni. Një buxhet i këtillë kaq gjithëpërfshirës e ambicioz nuk do të ishte i mundur pa kontributin e ministrave. Këso buxheti nuk ka pasur asnjëherë më parë”, tha ai.

Kurti tha se me këtë buxhet do të fillojnë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin.

Ai përmendi edhe mjetet e ndara për mbështetjen ndaj nënave, studimet falas ku tha se kanë ndarë edhe dy mijë bursa shtesë për të gjithë studentët që janë më të mirët.

“Me këtë buxhet do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin. Kemi ndarë 45 milion euro për të mbështeetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehona dhe shtesat për fëmijë. Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët dhe do të ndajme edhe 2000 bursa shtesë për ata që janë më të mirët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën dhe hulumtimin. Kemi shtuar 35 milionë euro të pensioneve dhe skemave sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro dhe shtesat për skemat sociale prej 30 përqind të bëhet e përhershme”, tha Kurti.

Ai tha se me këtë buxhet do të nisin ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, teksa përmendi që për herë të parë kanë buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës.

“Kemi shtuar edhe 24 milionë euro buxhet shtesë për sigurimin e barnave esenciale. Me këtë buxhet do të nisim ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë. Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës në shumë prej 2 milionë euro. Kemi ndarë 50 milionë euro për të paguar borgjet e shpronësimeve që kemi trashëguar ashtu që më në fund të kryhen rrugët që tashmë janë në proces për sa e sa vite. Kemi ndarë buxhetin dhe do të fillojmë projektin e banimit social e të përballueshem”, tha Kurti.

Nga ky buxhet, për herë të parë, sipas kryeministrit Albin Kurti, do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës.

Ai tha se 40 milionë euro do të ndahen për Trepçën dhe Telekomin.

Kurti tha se tek tani vërehet se sa ka vuajtur Kosova për një qeverisje që “nuk vjedh e nuk abuzon me paranë publike”.

“Këto e shumë investime tjera janë bërë të mundura me vetëm 7 muaj qeverisje, tek tani mund të vërehet se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje që nuk vjedh e nuk abuzon me paranë publike. Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, tha ai. /Zëri