Vdekja e 4 turistëve rusë në Shqipëri, dyshime se mund të jenë helmuar me agjentë biologjikë

Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalya Burenkova, 58 vjeç, ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Katia, 31 vjeç, dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të vdekur në saunën e një hoteli në plazhin e Qerretit në Kavajë.

Sipas burimeve të A2 CNN, ish-puna e burrit si gjeneral ushtrie ka shtuar dyshimet se turistët mund të jenë helmuar nga agjentë biologjikë, ndërsa një tjetër pistë është ajo e asfiksimit nga rrjedhja e gazit.

Teksa hetimet janë duke vijuar në lidhje me vdekjen e mistershme të katër turistëve rusë, Prokuroria e ka regjistruar këtë çështje për veprën penale të vrasjes.

Ndërkohë, Kreu i Komitetit Hetues të Rusisë (TFR), Alexander Bastrykin, është duke pritur për informacion të detajuar në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë, njoftoi të hënën faqja e internetit e agjencisë.

“Rusët erdhën në hotel nga Maqedonia e Veriut dhe kërkuan që të përgatisnin një pishinë për ta, të cilën ata donin ta vizitonin pas saunës. Mediat raportuan se klori në pishinën e hotelit mund të kishte vrarë rusët. Një punonjës mund të kishte përdorur shumë klor, që çoi në vdekjen e njerëzve”, lexohet në njoftimin për shtyp. /A2