Borrelli i quan “të papranueshme” veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” të policisë në veri

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në veri mëngjesin e sotëm dhe e cila ende po vazhdon.

Policia ndërmori një aksion antikontrabandë në disa rajone të Kosovës, ku përfshihej edhe veriu, por aty hasi në rezistencë të dhunshme nga huligane serbë.

Borrelli i ka quajtur veprimet e Kosovës “të njëanshme dhe të pakoordinuara”, që rrezikojnë sigurinë.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalojnë menjëherë. Veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, që rrezikojnë stabilitetin, janë të papranueshme”, tha ndër të tjera Borrelli.

Ai kërkoi që këto çështje të ngrihen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, shkroi Borrelli në Twitter. /Zëri.info