Rikthim i frikshëm i tankeve ruse dhe i skenarëve destabilizues në rajon
Së pari, duke ndjekur me indinjatë shtesë, “kërcitjen e zinxirëve të tankeve dhe avionëve ruse në kufijtë shtetërorë të Kosovës”, sjell qëllimisht në vëmendje «thirrjen ulëritëse» të gazetarit të mirënjohur çek Julius Fucik: "NJERËZ, jini VIGJILENTË!"
Ky «mesazh-epitaf», mbetet kambanë aktuale për të zgjuar dhe mbrojtur popujt nga projektet vrastare, si fashizmi ose regjimet barbare të çdo forme tjetër!
Profesionilisht, këtë zhvillim e gjej si «përgjigje të vonuar» për disa nga pikëpyetjet strategjike që u kam adresuar publikisht udhëheqesve të Beogradit dhe Rajonit në në 15 vitet e fundit, si p.sh sa bashkëngjitur: http://www.panorama.com.al/stop-projekteve-famekeqe-e-mendjeve-te-ndryshkura-gjeneral-piro-ahmetaj-pyetje-per-vucic-pse-po-armatoset-deri-ne-dhembe-serbia/
“Rikthimi te Armët”, sigurisht kënaq ektremistët, krimin e organizuar, oligarkët e pushtetit dhe gardën e sekserëve të korruptuar por nuk u shërben aspak qytetarëve, as masave të mirëbesimit reciprok dhe as axhendës së integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit.
Si e tillë, shërben vetëm si mekanizëm i agjendës së politikanëve zullumqarë, për të mbajtur me çdo mjet/çmim (edhe me gjak) pushtetin, për të vjedhur pasuritë publike si dhe për të vrarë shpresat e bashkëjetesës paqësore mes qytetarëve të ballkanit.
Duke e parë kështu, rikthimi i frikshëm te: “tanket, avionët Mig-29, raketat dhe bashkë me to, ëndrrat ruse, fryma e urrejtjes ndëretnike, rrënjët e destabilitetit si dhe te konfliktet e përgjakshme”, përçmon kujtimin për 300 mijë të vrarët si dhe vuajtjet dhe sakrificat e papërshkruara të qytetarëve të vendeve te Ballkanit nga makineria kriminale e Millosheviqit!
Falni por mos harroni (forget but not forgive) mbetet edhe SOT si "mesazh-EPITAF" jo vetëm për Kosovën e martirizuar, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë, Slloveninë dhe Shqipërinë që e paguan aq shtrenjtë marrëzinë e Millosheviçit por edhe për USA, NATO-n, BE, UN etj. që kontribuan aq shumë për paqen e rajonit të mbërthyer nga urrejtja dhe luftrat e përgjakshme!
Së dyti, ripërsëris edhe më qartë se përtej statuseve dhe protagonizmit populisto - nacinalist të udhëheqësve pa fuqi/këllqe në Fb: "Mbetet domosdoshmëri kritike dhe përgjegjësi e lartë shtetërore, përgatitja dhe jetësimi i një Patforme Partneriteti Strategjik midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës”.
Për më qartë, jetësimi i konceptit “Dy Shtete një Komb” dhe atij “mënçur” mbi sovranitetin, sigurinë dhe mbrojtjen mbarëKombëtare, si dhe zhvillimi i 12 projekteve të përbashkëta, do të duhet të konfirmohet si përqasja afatmesme e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare"!
Thënë këtë, duhet nënvizuar edhe më fortë se kjo “përqasje e vonuar” nuk përben asnjë “kërcënim ndaj Serbisë apo vendeve të tjera të rajonit!"
Për më tepër, të gjitha vendet e rajonit, përfshi Serbinë mbeten shumë të mirëpritura të bëhen pjesë e projekteve mbi emergjencat civile (përfshi zjarret, përmbytjet, aksidentet industriale, ambjentaliste) epidemitë shëndetsore, sigurinë kibernetike, reciprocitetin në dogana etj.
Po ashtu, jam i bindur që kjo qasje e mënçur, do të inkurajohej dhe mbështetet nga USA dhe NATO, pasi ka dekada që zbatohet me sukses mes vendeve Balltike (Lituani, Estoni, Letoni); vendeve Skandinave (Norvegji, Finland Suedi), vendeve të ulëta (Belgjikë, Hollandë, Luxembourg) etj.
Së fundmi, përtej heshtjes së gjatë dhe dështimit të frikshëm të politikanëve zullumqarë për rikthimin te forca e armëve, shpresoj që fuqia e arsyes së mendjeve të hapura të zgjohet, Paqja dhe Integrimi Euroatlantik të triumfojnë si "opsion dhe axhenda të vetme" për rajonin e mbushur me histori dhe udhëheqës gjakatarë!
Por, "Paqja, Stabiliteti dhe demokracia funksionale si USA dhe gjithë Europa, nuk janë dhurata të përjetshme".
Në të kundërt, ato mbeten kambana alarmi dhe mision i vetëm për të ndenjur "zgjuar", punuar dhe luftuar fort kundër rikthimit tek errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore!
Ndërsa në vend të mesazhit përmbullës, ritheksoj edhe më fortë: “STOP rikthimit te tanket, avionët, raketat Ruse, skenarët e destabilitetit, mendjet e ndryshkura si dhe heshtjes së frikshme të politikanëve zullumqarë në rajon”.
Gjeneral Piro AHMETAJ,
Ekpert i Sigurisë Kombëtare & NATO,
Zv/president i Këshillit të Atlantikut, Ish:
Këshilltar ushtarak i presidentit të RSH-së,
Zëvendës SHSHPFA,
Përfaqësues i RSH-së në SHAPE/NATO.