Zgjedhjet në Gjermani – një revolucion i heshtur
Pas numërimit të 100 për qind të zonave zgjedhore në zgjedhjet e djeshme në Republikën Federale të Gjermanisë, kryeson Partia Socialdemokrate me një avantazh minimal prej 1.5 për qind. Në vendin e dytë është blloku konservator CDU/CSU, ndërkaq Të Gjelbrit janë në vendin e tretë. Kështu, kancelari i mundshëm i ardhshëm Olaf Scholz (SPD) tashmë ka premtuar të formojë një qeveri para Krishtlindjeve.
Sipas të dhënave jozyrtare (ato zyrtare do të shpallen brenda javës), Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD) është fituese e zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, duke kapur kuotën prej 25.7% të votave. Këtë e bëri të njohur të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç raportohet nga mediat gjermane dhe botërore.
Grupi i dytë më i madh në Bundestagun gjerman do të jetë blloku CDU/CSU, me 24.1% të votave. Ky është rezultati historikisht më i keqi i konservatorëve gjermanë që nga themelimi i tyre si formacion i unisuar politik. Në vendin e tretë janë Të Gjelbrit me 14.8 për qind të votave.
Kjo është legjislatura e 20-të e Bundestagut gjerman, në përbërje të të cilës do të jenë gjithësej gjashtë parti politike: SPD, blloku CDU / CSU, të Gjelbrit, Partia Demokratike e Lirisë (FDP), e cila fitoi vendin e 4 -të (11.5% të votave), Alternativa për Gjermaninë - AFD (10.3%), që konsiderohet krahu i djathtë ekstrem, e Majta - (4.9%). Kjo e fundit, pra Die Linken, edhe pse nuk e kalon pragun elektoral 5%, hyn në parlament vetëm për faktin se ajo fitoi tre vende të drejtpërdrejta në zonat elektorale. Sipas Ligjit Zgjedhor Gjerman, në këtë rast partisë politike i ndahen vende në përputhje me votat e tjera të marra (sipas listave të partive).
Zgjedhjet e së dilës në Gjermani ishin për shumëçka më shumë se zgjedhje; në fakt ato dëshmuan se kemi të bëjmë me një revolucion në heshtje. Gjermania votoi dhe la epokën e Angela Merkelit prapa në histori, me rezultatin më të jashtëzakonshëm, por edhe dhe më të komplikuar që prodhuan këto zgjedhje në historinë e demokracisë liberale gjermane.
Rezultati prodhoi një peizazh politik që dominohet nga copëzimi i skenës politike dhe për shkak të të cilit do të duhet shumë kohë që fituesi në ranglistë të formojë shumicën qeveritare. Pavarësisht rezultatit të këtij kompilimi politik, zgjedhjet gjermane kanë një fitues dhe një humbës të nominuar: Olaf Scholz i pari, Armin Laschet i dyti.
Fitorja e SOCIALDEMOKRATËVE gjerman (SPD) dhe e kandidatit të saj për postin e kancelarit, Olaf Scholz, i hap rrugë një koalicioni me Liberalët (FDP), të njohur si forca më e afërt me potencën financiare gjermane dhe rolin e saj historik në ribashkimin e Gjermanisë (1989), por edhe me TË Gjelbërtit (Die Grünen), që tashmë kanë dhënë sinjale të qarta për këtë.
Qeveria e parë e epokës pas Angela Merkel do të përcaktohet nga partitë që zunë vendin e tretë dhe të katërt në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Gjermani.
E diela që lamë pas, bazuar në sistemin politik gjerman, dëshmoi se do të jenë të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP) ata që do të vendosin se kush do të hyjë në zyrën që deri dje ishte Angela Merkel. Koha e koalicionit të madhë tashmë ka shkuar në histori. Tani “tango vallëzohet me tre persona ", shkruan „El Mundo“.
Gjermania po përballet me një peizazh të ri të partive. Epoka e partive që morën 30 ose 35 përqind të votave dhe mund të përballonin të sundonin me një partner të vetëm, ka mbaruar. Ky është revolucioni i heshtur që senjon këto zgjedhje.
Diversifikimi i votave në këto zgjedhje krijoi një situatë të pazakontë në të cilën dy partitë tradicionale tutje mbesin mbi skalën që i shenjon si parti të mëdha, pra kanë mbi 25 përqind të votave të elektoratit gjerman, ndërkaq tri të tjera janë midis 10 dhe 15 përqind, që cilësohet si kuotë e partive të mesme.
E majta (Die Linken) që vije në skenën politike gjermane si formacioni politik me bazë në Gjermanin Lindore dhe si një lloj trashëgimtareje e strukturuar nga ish pjesëtarët e STAZ-it të famshëm të DDR-it, disi e ngjashme me LDK-në në Kosovë, ka pësuar debakël të plotë.
Por, është një formacion i ri në skenën gjermane që tutje, nga një palë zgjedhje në tjtërën, së fundmi, është etabluar si forcë e mesme – Alternativa për Gjermanin, e profiluar si e djathtë ekstreme. Me AfD-në ekstremiste, e afërt madje edhe me Putinin dhe autoritarët tjerë që po I bëjnë varrin demokracisë liberale si sistem politik i etabluar për më shumë se gjysmë shekulli në Perendim, askush nuk dëshiron të përfshihet në koalicion qeverisës. Për rrjedhojë, ajo mbetet jashtë çfardo ekuacioni të mundshëm qeverisës. Prandaj dy partitë që në këto zgjedhje u profiluan si të mesme – janë vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme: Të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP). Këto dy parti realisht mbajnë çelësin e portës së Kancelarisë gjermane, duke përcaktuar kështu se kancelari i ardhshëm a është Olaf Sholc (Olaf Scholz) apo Armin Lashet (Armin Laschet).
Çfarë do të thotë kjo për Kosovën, Shqipërinë e shqiptarët?
Nëse i referohemi praktikës në Gjermani, partneri më i vogël i koalicionit që është vendimtar për arritjen e shumicës parlamentare, përherë ka marrë në drejtim dikasterin e Ministrisë së Jashtme. Kështu kishte vepruar FDP kur ministër i jashtëm ishte Hans Dietrih Gensher, por edhe Të Gjelbërtit, kur ministër i jashtëm ishte Joshka Fisher. Edhe në rastin e parë, e edhe në atë të dytin, Gjermania kishte qenë flamurtare e idesë për thellimin dhe zgjerimin e procesin integrues europian, duke u shndërruar në një bosht real të BE-së dhe nxitëse e zgjerimit të saj në Lindje e Juglindje të Europës.
Ishte një rast historik që pikërisht në kohën kur shpërtheu lufta në Kosovë (1998), ministër i jashtëm ishte Joshka Fisher, një idealist i llojit të vetë dhe tejet i angazhuar për shndërrimin e Europës në një kontinent paqeje e mirëqenieje.
Përbërja e një koalicioni të ardhshëm trepalësh do të përcaktojë nëse Gjermania do të vazhdojë të ndjekë një politikë të qendrës ose të lëvizë në të majtë.