Kryeministri malazez midis presionit të brendshëm dhe pritjeve të Perëndimit

Rikonstruktimi i paralajmëruar i Qeverisë së Malit të Zi, i cili provokoi konflikt ndërmjet partive të shumicës në pushtet, është kritikuar nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila pret që Qeveria aktuale të mbajë Malin e Zi në kursin euroatlantik.

Një ditë pasi një pjesë e shumicës parlamentare, Fronti Demokratik (DF) dhe Mali i Zi Demokratik, propozuan një riorganizim të Qeverisë, ambasadorja amerikane në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, ka thënë se ajo pret që kryeministri, Zdravko Krivokapiq, kryetari i parlamentit Alleksa Beçiq dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq të mbajnë premtimet që i kanë dhënë në shtator të vitit të kaluar - për të mbajtur Malin e Zi në kursin euro-atlantik dhe t’i ruajnë elementet kryesore të politikës së jashtme malazeze, si dhe të merren me reformat si një çështje prioritare, në mënyrë që të përshpejtojnë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Nga Qeveria e ekspertëve deri te Qeveria politike

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse rikonstruktimi i paralajmëruar i Qeverisë është në kundërshtim me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, Zoran Vujiçiq, koordinator në Aleancën Qytetare, thotë se një gjë e tillë është në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme të shumicës aktuale parlamentare.

“Një gjë e tillë jo vetëm që është në kundërshtim me atë që dëshiron me bashkësinë ndërkombëtare, por është në kundërshtim me atë që u ra dakord pas zgjedhjeve parlamentare. Marrëveshja fillestare ishte që kjo Qeveri të ishte e ekspertëve, kur u nënshkrua Marrëveshja që Mali i Zi nuk do të devijojë nga kursi euroatlantik dhe bashkësia ndërkombëtare u pajtua me këtë. Ajo që ndodhi ndërkohë ishte pikërisht e kundërta e asaj marrëveshjeje. Edhe këto kërkesa që janë shfaqur tani janë në kundërshtim me dëshirat e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Vujiçiq.

Marrëveshja e DF-së dhe Demokratëve

Fronti Demokratik dhe Demokratët ranë dakord se është e nevojshme të rindërtohet Qeveria e 42-të ekzistuese e Malit të Zi në atë mënyrë që në vend të 12 ministrive të mëparshme, të ketë 18 ministri dhe tre nënkryetarë, ku nënkryetarët të jenë gjithashtu ministra të linjës. Rikonstruktimi parashikon që partitë politike të emërojnë përfaqësuesit e tyre.

Duke rikujtuar se bashkësia ndërkombëtare dëshiron një vend të qëndrueshëm dhe demokratik me të cilin ata mund të bashkëpunojnë, Zoran Vujiçiq thotë se elitat politike në Mal të Zi duhet t’i marrin më seriozisht sugjerimet e faktorit ndërkombëtar.

“Ajo që ka ndodhur në periudhën e mëparshme nuk u jep të drejtë as qytetarëve dhe më pas as bashkësisë ndërkombëtare që të kenë ndjesinë se çfarë do të thotë stabiliteti në shtet. Nuk do të doja që të arrijmë në një situatë ku nga bashkësia ndërkombëtare të marrim vërejtjet që do të jenë shumë më serioze. Dhe kjo do të thotë që në mënyrë të hapur të na ngadalësohet rruga jonë drejt Bashkimit Evropian dhe të arrijmë në një situatë ku anëtarësimi ynë në NATO të rishqyrtohet”, theksoi Vujiçiq.

URA nuk e pranon rikonstruktimin e Qeverisë

Në marrëveshjen për rikonstruktimin e Qeverisë nuk ka marrë pjesë partnerja më e vogël në pushtetin shumicë, Lëvizja qytetare, URA.

URA u bëri thirrje Demokratëve dhe Frontit Demokratik që të njoftojnë nëse propozimi për rikonstruktim nënkupton tërheqjen e nënshkrimeve nga Marrëveshja e shtatorit të vitit 2020. Kjo marrëveshje ishte baza për formimin e të ashtuquajturës Qeveri të ekspertëve dhe në të cilën u përcaktuan parimet, sipas të cilave kursi i politikës së jashtme të vendit, anëtarësimi në NATO, njohja e Kosovës nuk do të vihen në dyshim.

URA u tha partnerëve të saj qeveritarë se në rast se do të mund të gjenin shumicën parlamentare që do të mbështeste riorganizimin e Qeverisë, ata “mund të caktonin menjëherë një seancë parlamentare”.

Nga 81 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi, tre koalicionet e drejtuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja qytetare URA kanë një shumicë minimale prej 41 vendesh në parlament në krahasim me opozitën aktuale të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve.

URA, e cila aktualisht kundërshton formën e publikuar për rikonstruktim të Qeverisë, ka katër deputetë.

Shkrimin e plotë munda ta lexoni KETU