Kusari: Blerim Vela do t'i shkaktojë dëm presidentes, institucioni i së cilës është shembull i transparencës

Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, ka kritikuar Shefin e Stafit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela për qasjen e tij ndaj mediave.

Sipas saj, lufta e tij personale speciale kundër mediave do t'i shkaktojë dëm të pariparueshëm presidentes Vjosa Osmanit, institucioni i së cilës është shembull i transparencës.

Këto komenete Kusari i bëri përmes rrjetit social Fcaebook, pas postimeve të Velës në Twitter, ku i etiketoi mediat që raportuan për takimin e Osmanit me partitë, si media "të ish-pushtetit Pronto".

Kusari thotë se, fushata e pandalshme e Velës për të denigruar mediat dhe gazetarët, është e rrezikshme dhe se  mund të nxisë sulme fizike ndaj gazetarëve.

"Me luftën personale speciale kundër mediave, Blerim Vela do t'i shkaktojë dëm të pariparueshëm presidentes Vjosa Osmanit, institucioni i së cilës është shembull i transparencës. Fushata e tij e pandalshme për të denigruar mediat dhe gazetarët -platformat e të cilëve i shfrytëzonte kur i duheshin- është e rrezikshme dhe mund të nxisë sulme fizike ndaj gazetarëve. Mënyra se si ai komunikon me gazetarë -komunikim të cilin e kam parë dhe është publikuar- është ofenduese dhe nënçmuese", ka thënë Kusari në postimin e saj.

Ajo gjithashtu ka thënë se "Blerim Vela paguhet nga taksat tona dhe ka detyrim të japë llogari. Nuk i takon atij që t'i vlerësojë mediat ose të mundohet t'i frikësojë gazetarët".

Tutje Kusari ka shtuar se, presidentja Osmani duhet t'a ndalojë në mënyrë urgjente fushatën e tij kundër mediave, dhe të vendosë dikë tjetër në pozitën e tij.

"Presidentja duhet urgjentisht ta ndalojë këtë fushatë të tij dhe të caktojë dikë tjetër për komunikim me media, në të kundërtën qasja e tij do të konsiderohet si qasje e presidentes ndaj mediave. Çmimin politik do ta paguajë ajo, jo Vela. Nëse flas me gjuhë të presidentes: regjia, nalja Twitterin Blerim Veles", është shprehur juristja e të drejtës së mediave Flutura Kusari, në reagimin e saj në Facebook. /Zëri