WhatsAppi gjobitet rreth 200 mijë euro nga Turqia

Autoriteti i Turqisë për mbrojtjen e të dhënave ka gjobitur WhatsApp me rreth 200 mijë euro për shkelje të rregullave të privatësisë.

Platforma e mesazheve në pronësi të Facebook nuk kishte “deklaruar qartë” se si do t’i përpunonte të dhënat e përdoruesve të saj dhe për çfarë qëllimi.

WhatsApp duhet të marrë “masat e nevojshme për të shmangur përpunimin e të dhënave personale në kundërshtim me ligjin”, tha Autoriteti Turk i Mbrojtjes së të Dhënave Personale (KVKK).

KVKK njoftoi se kishte gjobitur WhatsApp 1.950.000 lira turke (197 mijë euro) dhe urdhëroi aplikacionin të përshtasë politikën e tij të privatësisë në përputhje me ligjet e Turqisë.

Masa ndëshkimore vjen vetëm një ditë pasi WhatsApp u gjobit me 225 milion euro nga mbikëqyrësi i privatësisë së të dhënave të Irlandës për shkeljen e rregullave të rrepta të BE-së.

Facebook gjithashtu është gjobitur nga autoritetet ruse për mos ruajtjen e të dhënave të përdoruesve të WhatsApp në serverët lokalë.

WhatsApp u sulmua në janar pasi kërkoi nga përdoruesit e saj të lejonin që aplikacioni të ndante më shumë të dhëna me Facebook.

Disa institucione turke njoftuan se kishin filluar të përdorin BiP për të komunikuar me gazetarët. Aplikacionet rivale të mesazheve Signal dhe Telegram kanë parë gjithashtu një rritje të papritur të kërkesës në Turqi.

Kreu i Zyrës së Transformimit Dixhital të Turqisë ka thënë se aplikacionet e huaja paraqesin rreziqe serioze të sigurisë për Ankaranë. /euronewsal