LVV: Gazi lotsjellës në koncertin e Bregoviqit nuk u organizua nga Lëvizja Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar me një sqarim për opinionin publik se hedhja e gazit lotsjellës mbrëmë në koncertin e Bregoviqit nuk është organizuar nga kjo Lëvizje.
“Duke marrë parasysh ‘lajmet’ që po qarkullojnë në disa portale lidhur me gazin lotsjellës, i hedhur mbrëmë në koncertin e Goran Bregoviqit në Korçë, sqarojmë për opinionin publik se kjo nuk është organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, thuhet në sqarimin e Vetëvendosjes.
Në këtë reagim po ashtu theksohet se qëndrimet për këtë koncert dhe për këngëtarin në fjalë nga Lëvizja janë bërë publike në aksionin me banderolë, i organizuar në Korçë më 19 gusht 2021.
Mirëpo, kështu nuk ka thënë përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri.
Ai dje përmes një postimi në rrjetin social pranoi se kishte qenë LVV-ja ajo e cila kishte iniciuar gazin lotsjellës mbrëmë në Festën e Birrës.
“Në një koncert të jugonostalgjikut Bregoviq, ku ai këndon në Shqipëri vargje si ‘mos e gris fustanin’, duke marrë parasysh 20.000 gra të përdhunuara në Kosovë dhe faktin se ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk e ka dënuar kurrë gjenocidin e Serbisë, nuk do kishte kuptim hareja dhe gazi, përveç atij lotsjellës”, ka thënë Abazi. /Zëri