Kosnett për strehimin e afganëve: Kosova demonstroi lidership në skenën globale

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka falënderuar shtetin tonë për gatishmërinë që të strehojë afganët që po ikin pas pushtimit nga talebanët.

Kosnett në emër të SHBA-së, ka shprehur falënderimin për Qeverinë e Kosovës për gatishmërinë e treguar, ndërsa ka thënë se me këtë, Kosova edhe një herë demonstroi lidership në skenën globale, transmeton Zeri.info.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, falënderimet e mia më të thella për Qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj për t'u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, ka shkruar ambasadori i SHBA-së në Twitter.

Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti, sot ka thënë se Kosova do të strehojë afganët jo vetëm si akt humanitar por edhe si kërkesë e aleatëve, në këtë rast SHBA-së.

“Ne e kemi SHBA e kemi aleatë të pazëvendësueshëm, përveç aspekti të solidaritet e ka edhe dimension edhe të aleancës me Amerikën. Ata na kanë përkrahur në vazhdimësi kjo është pjesë e vogël e kontributit. Hollësitë janë duke e diskutuar me ShBA-në dhe ato u përkasin ekipeve tona dhe kur të kenë detaje për shifrat, mënyrat dhe kohëzgjatjen”, ka deklaruar Kurti. /Zëri