Pretendenti tjetër i LVV-së për kryetar të Mitrovicës hedh akuza të rënda ndaj Bahtirit, i hyn garës si i pavarur

Kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është zyrtarizuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje për të garuar edhe për një mandat për postin e të parit të kësaj komune.

Pas këtij zyrtarizimi, ka reaguar Fatmir Hasani, i cili po ashtu ka paraqitur kandidaturën nga diaspora për kryetar të Mitrovicës nga LVV-ja.

Ai ka hedhur akuza ndaj Bahtirit duke thënë se ky i fundit ka shantazhuar e falsifikuar nënshkrime të delegatëve, për të marrë votat e mjaftueshme si kandidat.

“Sot i kaploi mërzia përkrahësit e Vetëvendosjes në Mitrovicë, për shkak se u zyrtarizua Agim Bahtiri si kandidat i Vetëvendosjes për kryetar. Por, unë ju siguroj që s'ka nevojë për mërzi e brengosje, sepse jemi gati ta sfidojmë dhe së shpejti do t'i largojmë keqpërdoruesit të cilët mjet pune kanë korrupsionin dhe nepotizmin. Unë isha në garë me Agim Bahtirin për t'u bërë kandidat i Vetvendosjes, por për shkak të keqpërdorimeve nga ana e të lartpërmendurit brenda qendrës së VV-së, duke shantazhuar e kërcënuar me vende të punës si dhe duke falsifikuar nënshkrimet, unë nuk arrita të bëhem kandidat. Por, ani pse mori votat e delegatëve, Bahtiri nuk e ka përkrahjen e qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje ai ka njoftuar se ka vendosur që të kandidoj si i pavarur “për të shpëtuar” Mitrovicën nga “keqpërdoruesit e sojit të Agim Bahtirit dhe Bedri Hamzës”.

“Ju premtoj që do t'i luftoj këto dukuri të këqija dhe do ta bie ndryshimin në qytetin tonë, Mitrovicën, qeverisjen lokale, siç ndodhi më 14.02.2021 në qeverisjen qendrore. Natyrisht, unë edhe tash e edhe më pas do të bashkëpunoj ngusht me kryeministrin tone, z. Albin Kurti, për të mirën e qytetarëve në Komunën e Mitrovicës. E mira vonon, por në fund fiton. Na priftë e mbara!”, ka theksuar Fatmir Hasani. /Zëri