Rryma ndërpret vaksinimin në Prizren, KEDS-i premton rikthim të shpejtë të energjisë elektrike

Gjatë ditës së sotme, në sallën “Sezai Surroi” në Prizren, ku është organizuar vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19, është ndërprerë energjia elektrike, çka ka çuar në ndërprerjen e procesit të vaksinimit.

KEDS-i ndërkaq ka njoftuar se deri te ndërprerja e energjisë elektrike ka ardhur pasi kabllot nëntokësore janë dëmtuar nga një kontraktor i Komunës së Prizrenit.

“Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, e kanë hapur gropën dhe janë duke e sanuar problemin. KEDS kërkon nga të gjitha palët punëkryese të jenë më të përgjegjshëm, të marrin hartat paraprakisht të shtrirjes së rrjetit nëntokësor aty ku intervenojnë në infrastrukturë, sidomos në qytete, pasi kjo po afekton qytetarët”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Për KEDS-in, paraqitja e rasteve të tilla është e papranueshme, “pasi nga veprimet e atyre kontraktorëve është penguar direkt procesi i vaksinimit të popullatës, që është jetik në këto ditë”.

KEDS-i kërkon nga të gjitha institucionet që të bëjnë mbikëqyrje më të rreptë të kontraktorëve të tyre në mënyrë që këto raste të mos ndodhin më.

“Energjia elektrike do t’i kthehet qendrës në kohën më të shkurtër të mundshme”, njoftoi KEDS-i. /Zëri