Vuçiqi ia shpreh presidentit izraelit zhgënjimin serb për njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog, me të cilin ka diskutuar mbi çështjet e bashkëpunimit bilateral.

Duke u pajtuar në zhvillimin e marrëdhënieve serbo-izraelite, duhet të kihet parasysh afërsia historike e popullit serb dhe hebre, “e shënuar nga vuajtjet e përbashkëta gjatë Luftës së Dytë Botërore”, megjithatë Vuçiqi potencoi se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e shtetit të Izraelit ka zhgënjyer popullin serb.

“Presidenti Vuçiq theksoi se njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga shteti i Izraelit ishte një zhgënjim për Serbinë dhe qytetarët e saj, por në të njëjtën kohë ai shprehu dëshirën që Serbia të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe me udhëheqjen e re të Shtetit të Izraelit, së cilës i uroi suksese në punën e saj”, thuhet në komunikatën e Presidencës serbe, raporton Zeri.info.

“E konsiderojmë shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura”, citohet të ketë thënë Vuçiqi, duke shtuar se biseda e sotme me presidentin Herzog do të kontribuojë në mirëkuptimin më të mirë në mes të dy shteteve.

Presidenti serb shprehu pritshmërinë që Herzogu dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, “si mënyra e vetme për të zgjidhur, për Serbinë, çështjen e ndjeshme të Kosovës dhe Metohisë”. /Zëri