Të shtëna me armë në një aheng në Mitrovicë, iniciohet rast ndaj 22-vjeçarit

Të mërkurën Policia në Mitrovicë ka pranuar një informatë se kishte të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.

Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar vendin nga ku ishin dëgjuar të shtënat në një aheng familjar, ku në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja.

Sipas PK-së, pas identifikimit të të dyshuarit është dorëzuar një armë gjuetie, nga e cila armë kishte shtënë një 22-vjeçar.

Në cilësi të provave materiale policia ka sekuestruar armën dhe dy gëzhojat. Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar B.L., 22-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, ku pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari në fjalë është liruar në procedurë të rregullt.

Nga Policia kanë bërë të ditur se ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje, posedim, kontroll i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm”. /Zëri