Gjykata vendos në favor të klubeve themeluese të Superligës Evropiane, hiqen dënimet ndaj tyre

Klubi më i trofeshëm në botë, Real Madridi, përmes një komunikate për media ka thënë se ata së bashku me Barcelonën dhe Juventusin e mirëpresin vendimin e sotëm të Gjykatës.

Në vendim thuhet se me efekt të menjëhershëm, duhet zbatuar detyrimin e UEFA-s për t’i tërhequr veprimet e ndërmarra kundër të gjitha klubeve themeluese të Superligës Evropiane, përfshirë këtu edhe përfundimin e procedurave disiplinore kundër tri klubeve nënshkruese.

“Gjykata mbështet kërkesën e bërë nga promovuesit e Superligës Evropiane, hedh poshtë ankesën e UEFA-s dhe konfirmon paralajmërimin e saj për UEFA se mosrespektimi i vendimit të saj do të rezultojë në gjoba dhe përgjegjësi të mundshme penale. Çështja do të vlerësohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg, e cila do të rishikojë pozicionin monopolistik të UEFA -s mbi futbollin evropian”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Real Madridi.

Tutje, në këtë komunikatë thuhet se Real Madridi ka për detyrë që të adresojë çështjet serioze më të cilat përballet futbolli.

“UEFA është vendosur si rregullatori i vetëm, operatori ekskluziv dhe pronar unik i të drejtave të garave evropiane të futbollit. Ky pozicion monopolistik, në konflikt interesi, po dëmton futbollin dhe balancën e tij konkurruese”.

Klubi spanjoll shprehet i kënaqur që në të ardhmen nuk do të jenë subjekt siç i kanë quajtur ata kërcënimeve të vazhdueshme të UEFA-s.

“Qëllimi ynë është të vazhdojmë zhvillimin e projektit të Superligës në një mënyrë konstruktive dhe bashkëpunuese, gjithmonë duke u mbështetur në të gjithë aktorët e futbollit: tifozët, lojtarët, trajnerët, klubet, ligat dhe shoqatat kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Real Madridi.