Shpëton mrekullisht foshnja 3-muajshe pas vërshimeve në Kinë, vdes nëna heroinë
Ekipet e shpëtimit në Kinë thonë se ka vdekur një grua, e cila e ngriti beben e saj në një zonë të sigurt, pikërisht në kohën kur rrëshqitja e dheut dhe shirat vërshuan shtëpinë e tyre.
Foshnja vajzë u nxor të mërkurën e gjallë, pas më shumë se 24-orësh qëndrimi nën rrënoja, raporton BBC-ja.
Raportimet thonë se shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut në fshatin Wangzongdian në provincën Henan, transmeton Zeri.info.
Në këtë rajon deri më tani janë raportuar së paku 51 të vdekur dhe rreth 400.000 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Pamjet nga punëtorët e sigurisë duke e shpëtuar beben janë bërë virale në Kinë. Ajo besohet të jetë tre ose katërmuajshe.
“Dëgjova zërin e bebes dhe pikërisht në atë moment kishin mbërritur shpëtimtarët dhe ia dolën ta shpëtojnë beben. Ajo ishte ngritur në një pikë më të lartë nga nëna e saj”, tha një anëtar i familjes së saj, i identifikuar si zotëri Zhao, për “Southern Metropolis Daily”.
Bebja u dërgua me shpejtësi në spital dhe u zbulua se nuk ka ndonjë dëmtim.
Trupi i nënës së saj u gjet vetëm të enjten.
Shpëtimtarët i thanë “Beijing Youth Daily” se kur e gjetën trupin e saj, ajo ishte ngrirë në atë pozitë, që dukej sikur kishte ngritur diçka lart.
“Në momentin kritik ajo e kishte ngritur fëmijën e saj dhe për këtë arsye bebja është gjallë”, tha një punëtor i shpëtimit.
Mediat nuk i kanë dhënë detajet e nënës e as të bebes. /Zëri