Shoqëria civile fajëson Qeverinë për performancën e dobët të Kuvendit
Që nga fillimi i punës të legjislaturës së tetë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vetëm një Ligj. E performanca e Kuvendit sa i përket ligjvënies po konsiderohet e dobët nga shoqëria civile, për këtë, ata fajësojnë Qeverinë për mungesë të agjendës legjislative/
Ligji që është miratuar në Kuvend është për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të procedurës penale.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, thotë se programi i paraparë prej Qeverisë, që për këtë vit të miratohen në Kuvend 192 ligje, nuk do të arrihet të realizohet, për shkak se ekzekutivi ka proceduar shumë pak projektligje te ligjvënësit.
“Në përgjithësi fillimi i legjislaturave të reja është më i ngadalshëm, për shkak se varet shumë sa është e shpejt Qeveria në përgatitjen e mandatit të vet legjislativë, sa shpejt i dërgon ligjet apo projektligjet në Kuvend, pastaj kjo ndikon dhe dikton punën e Kuvendit. Qeveria është sponsorizuesi kryesor i ligjeve dhe Kuvendi s’ka kapacitetet t’i bëjë vet ligjet. E në këtë rast kishte vonesa nga Qeveria edhe në përgatitjen e planin legjislativ dhe ka vonesa në dërgimin e projektligjeve në Kuvend, Qeveria ka pasur një program shumë ambicioz diku rreth 192 ligje i ka paraparë të miratohen brenda këtij vitit, kurse deri më tani i ka dërguar dy projektligje dhe një marrëveshje ndërkombëtare dhe po ashtu është një iniciativë e GP-së të PDK-së dhe VV-së. Kështu që deri më sot është miratuar vetëm një ligj prej kësaj legjislature që është një performancë e dobët dhe nuk i ka dërgua edhe 36 projektligje, që do të duhej deri në fund të qershorit sipas agjendës legjislative të Qeverisë të dërgoheshin në Kuvend për shqyrtim dhe kjo po e pengon edhe vet punën e Kuvendit”.
Gjithashtu edhe monitoruesja e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu, tha se ka mungesë të performancës sa i përket ligjvënies.
“Ka një mungesë ose performancë jo shumë e mirë në aspektin e ligjvënies, mirëpo kjo jo për fajin e Kuvendit, por më shumë faji i Qeverisës, që është vonuar shumë me agjendë legjislative dhe kur është miratua ka mungesë të projektligjeve dhe deri tash kemi vetëm pesë Projektligje që janë procedua në Kuvend dhe njëri prej tyre është miratuar dhe 2 prej tyre janë nisma ligjore. Te marr parasysh që deri në fund vitit janë paraparë të procedohen 192 ligje do të jetë goxha sfidë të arrihet kjo agjendë brenda periudhës së shkurt kohore, te marr parasysh që tani e kemi edhe pushimin mes dy sesioneve të Kuvendit, por edhe zgjedhjet lokale”.
Po ashtu, kjo legjislaturë po kritikohet edhe për mungesë të debateve të mirëfillta parlamentare.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se diskutimi parlamentar i kësaj legjislature nuk është substancial.
Tutje, drejtori i institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, kritikoi qasjen e Qeverisë karshi opozitës, që sipas tij ekzekutivi po mundohet të tregoj dominancë duke i shpërfillur subjektet opozitare.
“Për atë sa kam mundur ta ndjek, mirëpo disa gjëra janë ndryshe sigurisht një prej ndryshimeve më të mëdha është një Grup Parlamentar që është jashtëzakonisht i madh pra grupi i Vetëvendosjes, që nuk ka qenë asnjëherë prej legjislaturave të mëhershme dhe kjo e ka ndikim e vet paksa negativ te aktiviteti i deputetëve sepse një pjesë e konsiderueshme e këtij grupi të madh parlamentar nuk bien fare në sy, meqë puna ma e madhe kryhet prej personave të caktuar edhe duke qenë brenda një grupi atëherë edhe mbulohet angazhimi i tyre”.
“Ndërkohë që diskutimi në Kuvend mendoj që po vazhdon në mënyrën e njëjtë siç ka qenë edhe më parë, më shumë kemi kësi lloj debatesh që bëhen për t’i pëlqyer militantëve, më shumë sesa që ke ndonjë diskutim substancial për temat të cilat ngritën dhe në këtë drejtim unë kom prit nga kjo Qeveri që do të sillet ndryshe me Kuvendin në kuptimin e rritjes së rolit të Kuvendit si platformë e diskutimeve politike dhe të ideve, por po e shoh shpesh herë që edhe Qeveria aktuale, po bien në grackën e Qeverive të kaluara e cila përmes shpërfilljes dhe përqeshjes së Kuvendit po e zhvendos në një pozicion inferior karshi Qeverisë dhe duke qenë që dominant është grupi parlamentar i cili i takon partisë politike që e udhëheq edhe Qeverinë, mendoj se roli mbikëqyrë i Kuvendit karshi Qeverisë do të jetë goxha shumë i cunguar për shkak të këtij fakti pasi grupi i madh parlamentar nuk e mbikëqyr Qeverinë”, u shpreh Ymeri.
Po ashtu, edhe Krasniqi thotë se qasja e Qeverisë karshi opozitës është shpërfillëse. Sipas tij kabineti qeveritar dhe kryeministri po mundohet të tregojnë një lloj superioriteti ndaj opozitës.
“Partitë në opozitë po i përdorin interpelancat parlamentare për ta mbikëqyrur punën e Qeverisë, por edhe për të vënë në pah dështimet që ata konsiderojnë që janë duke pasur, kurse mazhoranca është marr më shumë me emërime dhe shkarkime të bordeve të agjencive. Kurse sa i përket debatit që partia në pushtet por edhe anëtarët e kabinetit qeveritar kanë pasur qasje arrogante ndaj opozitës, shpesh herë duke u munduar t’i tregojnë atyre se si do të bëhet opozitarizmi, apo duke thënë që s’është dashtë të thërrasin hiç debat parlamentar pasi kështu do të kishin më shumë minuta, do të thotë një qasje tallëse në raport me opozitën duke u munduar ta relativizojnë debatin dhe të tregojnë një lloj superioriteti, por edhe besoj për t’iu përgjigjur kritikave që janë bërë që kjo është një Qeveri e përbërë prej personave që nuk kanë një përvojë profesionale të kaluarën, nuk kanë bagazh në aspektin e menaxhimit dhe këtë drejtim është zhvilluar edhe debatit parlamentar”.
Mirëpo, sipas Haxhiut kjo legjislaturë ka shumë anë pozitive, pasi nuk përballen me mungesë të kuorumit si ato paraprake.
Gjithashtu, ajo thekson se ka një përmirësim të menaxhimit të punëve nga ana e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit.
“Për këtë periudhë kohore ka shumë anë pozitive në krahasim me legjislaturat e kaluara duke marr parasysh që sidomos në dy legjislaturat e kaluara kemi pasur një mungesë të kuorumit në vendimmarrje kjo normalisht ka ardhur për shkak të një shumicë parlamentare goxha të brishtë, kjo nuk është sfidë për këtë legjislaturë. Të paktën mbërrin me i kalua një shumicë të votave, pasi burimi i problemeve në legjislaturat e fundit ka qenë mungesa e kuorumit. Një përmirësim që kemi vërejt në krahasim me legjislaturat e kaluara sidomos mos pjesëmarrja e tyre në votim pavarësisht prezencës së tyre fizike që ka qenë shumë prezent në legjislaturat e kaluara tash nuk po e vërejmë këtë fenomen edhe kjo mandej ka kontribuar për çështjet të cilat vijnë në seancë për shqyrtim të marrin epilog aty dhe të mos mbarten nga një seancë në tjetër. Pozitive edhe menaxhim më i mirë i punëve nga ana e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, kjo ka filluar edhe në kohën kur ka qenë znj.Osmani. Kemi vërejt që ka takime të rregullta”, u shpreh ajo..