Kostoja e të pasurit fëmijë në Kinë

Çiftet e martuara kineze tash e tutje mund të lindin deri në tre fëmijë, ka njoftuar Kina të hënën, pas ndryshimit të kufizimit të njohur, teksa të dhënat e fundit kanë treguar një rënie dramatike të lindjeve në vendin më të populluar në botë.

Kostoja e rritjes së një fëmije në pjesën urbane të Kinës i ka frenuar shumë persona që duan të bëhen prindër, ndërsa shkalla e lindjes në Kinë ka rënë në vetëm 1.3 fëmijë për grua, pavarësisht se Pekini më 2016 e shfuqizoi politikën që ndalonte më shumë se një fëmijë.

Këto janë disa prej kostove të rritjes së një fëmije në qytetet e mëdha të Kinës:

Lindja

Kostot e lindjes në spitalet publike në Kinë, përfshirë testet para lindjes dhe lindjen, zakonisht mbulohen nga sigurimi shtetëror, por resurset janë të kufizuara në spitalet publike dhe gjithnjë e më shumë gra kineze po shkojnë në klinika private, ku shpesh paguajnë më shumë se 100 mijë juanë (mbi 15 mijë dollarë), raporton Reuters.

Familjet e pasura zakonisht angazhojnë shërbëtore në shtëpi, për t’u kujdesur për beben dhe për nënën gjatë muajit të parë, kundrejt një pagese prej 15 mijë juanësh. Teksa të ardhurat po rriten në Kinë, nënat e reja gjithashtu po zgjedhin qendra të shtrenjta pas lindjes, të cilat ofrojnë përkujdesje dhe shërbime profesionale. Një qendër e tillë në Pekin kushton 150 mijë deri në 350 mijë juanë në muaj.

Banimi dhe arsimimi

Pas ushqyerjes së fëmijëve të tyre me qumësht pluhur të importuar nga Australia dhe Zelanda e Re, dhe pas dërgimit të tyre në qendra të arsimimit të hershëm, prindërit e pasur kërkojnë banesa në distrikte me shkolla të mira, si Haidian në Pekin, me kosto mesatare banimi prej 90 mijë juanësh për metër katror, aq sa çmimi mesatar i banimit në Menhetën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata që nuk munden të regjistrohen në shkolla publike, për shkak se nuk kanë leje banimi, duhet të shkojnë në shkolla private, të cilat kushtojnë prej 40 mijë deri në 250 mijë juanë në vit.

Prindërit e dëshiruar, shumica prej të cilëve investojnë në fëmijën e tyre të vetëm, angazhojnë mësues privatë për fëmijët e tyre, dhe i regjistrojnë edhe në kurse të ndryshme, si ato për piano, tenis apo shah.

Gara është aq e ashpër, saqë një term në qarqet prindërore – “jiwa”, apo “bebe pulë” – i referohet kulturës së dikurshme të injektimit të fëmijëve me “gjak pule” për rritje energjie, si sinonim për ngarkimin e tepërt të fëmijëve me kurse.

Për të zbutur trysninë ndaj fëmijëve dhe për të rritur shkallën e lindjes nëpërmjet uljes së kostove të arsimimit për familjet, Kina ka hapur luftë ndaj industrisë së mësimdhënies private që po lulëzon në vend.

Sipas një raporti të vitit 2019 të Akademisë së Shkencave Shoqërore të Shangait, një familje mesatare që jeton në distriktin e pasur Xhingan, në Shangai, harxhon gati 840 mijë juanë për fëmijë, nga lindja deri në shkollën e mesme, e cila zakonisht përfundon në moshën 15-vjeçare, përfshirë 510 mijë juanë vetëm për arsimim.

Familjet me të ardhura të vogla në distriktet Xhingan dhe Minhang, në Shangai, të cilat kanë të hyra vjetore prej më pak se 50 mijë juanë, shpenzojnë mbi 70 për qind të të ardhurave për fëmijën, ka thënë raporti.

“Shtrirja”

Kostot e larta dhe trysnitë e të rriturit si fëmijë i vetëm, si dhe pritshmëria se ata duhet t’i mbajnë prindërit e tyre, i kanë bërë shumë të rinj hezitues për të bërë vetë fëmijë.

Fjalë të reja, që përshkruajnë pikëpamjet e të rinjve, shfaqen shpesh në mediat sociale, përfshirë më të fundit, “tang ping”, apo “shtrirja”, që reflekton zhgënjimin me një shoqëri të kapluar nga “komplikimi”, një tjetër term që i referohet gjendjes së të qenët i përfshirë në garë të pakuptimtë.

Këto erdhën pas ngritjes së kulturës “sang”, që manifeston disfatizëm shpeshherë ironik, dhe “rinisë budiste”, një term që i referohet të rinjve të cilëve s’u bëhet vonë. /REL