Bjeshkatarët dhe turistët këshillohen të shmangin ngjitjet në veri të Kosovës

Fundjavën e kaluar, klubi i bjeshkatarëve “Kosovo Mountain Club” ishte përballur me të shtëna me armë zjarri nga serbët në veri të Kosovës, gjegjësisht në komunën me shumicë serbe të Zubin Potokut, raporton Zeri.info.

E pas këtij rasti, Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK) ka këshilluar të gjithë alpinistët që të shmangin vizitat apo udhëtimet joesenciale në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

FBAK thekson se “turistët dhe bjeshkatarët janë të rrezikuar nga gjuajtjet me armë” si dhe incidente tjera të paprovokuara dhe të paparashikueshme.

“FBAK-u nuk mund të garantojë aktivitet e as qëndrim të sigurt dhe të qetë në atë pjesë. Rekomandohet shmangia e këtyre zonave për aq sa është e mundur, dhe nëse frekuentohen kjo bëhet në rrezikun e individit – organizatorit”, thuhet në reagimin e kësaj Federate.

Në fund, Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës tha se nëse dikush vendos të vizitojë këtë pjesë të Kosovës, “duhet të paktën të konsultohet para një vizite të tillë, të merren këshilla dhe informatat e fundit për ato zona”. /Zëri