Osmani për vdekjen e Bogujevcit: Humbëm zërin unik të këngës sonë popullore

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të këngëtarit të këngëve popullore shqipe, Ismet Bogujevci.

“Sot humbëm zërin unik të këngës sonë popullore. Ismet Bogujevci është artisti i këngës që një jetë të tërë ia kushtoi jetës skenike muzikore. Me ansamblin ‘Shota’, ai afirmoi traditën dhe kulturën tonë muzikore, ndaj me të drejtë bart titullin e doajenit”, ka theksuar Osmani.

Sipas saj, brezave do t’u mbetet trashëgim një fond i pasur i muzikës së mirëfilltë shqipe të interpretuar nga Ismet Bogujevci.

“Në këtë opus interpretues të Ismet Bogujevcit gjurmë të pashlyeshme do të lërë interpretimi maestral i këngës ‘Kur ma fal një tufë gërshetë, në duet me Bilbilin e këngës shqipe, Nexhmie Pagarusha. Muzika ishte jeta për të, ndaj ikja do të lërë një zbrazëtirë në skenën muzikore të Kosovës. U dëgjoftë përherë zëri i Ismet Bogujevcit”, thuhet në mesazhin e presidentes Osmani. /Zëri