Punëtorët në rrugën “Muharrem Fejza” po hasin në vështirësi nga kyçjet ilegale në ujësjellës

Në kryeqytet nga data 28 prill kanë filluar punimet për rregullimin e rrugës “Muharrem Fejza”, raporton Zeri.info.

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Rafuna-Mehmeti, ka thënë se gjatë punimeve janë hasur kyçje ilegale në rrjetin e furnizimit me ujë, e të cilat sipas tij po vështirësojnë punimet.

Rafuna-Mehmeti ka bërë të ditur se dyshohet që kyçjet ilegale përveçqë janë bërë në gypin që i furnizon qytetarët, janë bërë edhe në gypin që furnizon Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Gjatë punimeve në rrugën ‘Muharrem Fejza’ po hasin në kyqje ilegale në rrjetin e furnizimit me ujë, këto kyçje të shumta, të paevidentuara, po i vështirësojnë punimet. Dyshohet së kyçjet janë bërë pa leje, ilegale, përveç në gypin që i furnizon qytetarët, kyçjet janë realizuar edhe në gypin që e furnizon Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (furnizimi ka karakter emergjent)”, ka shkruar Rafuna-Mehmeti në Facebook.

Sipas njoftimit nga Komuna e Prishtinës, për shkak të punimeve kjo rrugë do te jetë e bllokuar nga data 26.04.2021.

Kjo është një ndër rrugët më të ngarkuara të kryeqytetit, ndërsa ka pasur ankesa të shpeshta nga banorët për gjendjen e saj. /Zëri