Ditari politik i Enver Hoxhës, maj ’81: Në prag të çlirimit, Miladin Popoviqi u vra në Prishtinë nga një agjent i UDB-së

Publikohet një dokument arkivor i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përket datës 8 maj të vitit 1981, ku ndodhet ditari politik i udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, me shënime për ngjarjet e Kosovës të cilat kishin filluar që në ditët e para të pranverës së atij viti, fillimisht me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore dhe më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Ditari i plotë i Enver Hoxhës, nga porositë e dhëna Ramiz Alisë për t’i dërguar të gjitha faqet e gazetave të huaja nga e gjithë botë që kishin pasqyruar dhe komentuar ngjarjet e Kosovës, përgatitjen për një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” lidhur me ato ngjarje në periudhën mars-prill 1981, përgjigjen për politikanin dhe ish-diplomatin serb, Milosh Miniç, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të JugosIlavisë, i cili kishte bërë një provokacion të rrezikshëm në adresë të vendit tonë”, duke deklaruar se: “Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë së organeve të saj të informacionit dhe të diplomacisë, duke përfshirë ambasadën e saj në Beograd, zbuloi vetangazhimin dhe ndërlikimin e saj të plotë në ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë”, etj.

“Deklarata e bërë nga ana e zotit Miniç përbën një problem për ne, prandaj duhet diskutuar qëndrimi që duhet mbajtur. Gjatë bisedës Ramizi më tha se kjo deklaratë e Miniçit dhe deklaratat e bëra nga udhëheqës të tjerë jugosllavë kërkojnë reagim nga ana jonë. Drejt e tha ai, por unë nuk jam i mendimit të bëjmë as protestë publike zyrtare nga ana e Qeverisë sonë, as ndonjë deklaratë nga ana e ATSH-së. Kjo e dyta mund të ishte një variant për të shprehur publikisht pikëpamjen tonë. Megjithatë si mbrëmë, ashtu edhe sot, unë e kam menduar një çikë më thellë këtë çështje. Së pari, qëndrimi i mbajtur nga ana e udhëheqësve titistë të çdo niveli, nuk mund të mbetet pa një përgjigje nga ana jonë. Por, para se ta bëjmë këtë, përpara se të përgjigjemi, ne duhet të analizojmë përse veprojnë kështu udhëheqësit jugosllavë. Këtë veprim të tyre, që shoqërohet me gjithfarë akuzash kundër vendit tonë, unë e konsideroj një provokacion, të cilin ata e bëjnë që ne të biem në të dhe jo vetëm të largojmë ambasadorin tonë nga Jugosllavia, duke bërë këtë t’u japim atyre të drejtë për të gjitha ato që kanë deklaruar kundër nesh, por të shkojmë edhe më tej, të tërheqim ambasadën tonë nga Beogradi, sepse edhe Miniçi nuk tha ambasadori shqiptar, po ambasada shqiptare. Ky është një provokacion i madh, veç ata duan që pasojën që sjell ai, të mos e bëjnë vetë, por nxitin ta bëjmë ne. Kjo që bëjnë ata është e dënueshme. Bile ne e kemi dënuar, prandaj në këtë provokacion të tyre nuk biem”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në ditarin politik të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, që mban datën 8 maj të vitit 1981, ku ai ka mbajtur shënime lidhur me ngjarjet e Kosovës, të cilat kishin filluar që në ditët e para të marsit të atij viti, kur rinia studentore e Kosovës doli në protesta dhe demonstrata të cilave më pas i’u bashkua edhe populli i Kosovës, duke kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Për më shumë rreth kësaj dhe të gjithë qëndrimin që mbajti udhëhqja e Shqipërisë komuniste dhe personalisht Enver Hoxha ndaj udhëheqjes komuniste të Jugosllavisë, na njeh ky dokument arkivor që Memorie.al po e publikon të plotë duke filluar nga ky numër.

Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet në Kosovë, maj 1981

Mos vallë Moshe Pijade ka dashur t’i japë një grusht Federatës Jugosllave apo të minojë Jugosllavinë? Ca më pak nuk ka se si të jetë kështu, siç pretendon zoti Miniç, kur akuzohen pa të drejtë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe Partia e Punës e Shqipërisë që nuk e kanë bërë këtë kërkesë, nuk ia kanë dhënë këtë grusht serioz Federatës Jugosllave dhe nuk kanë kryer asnjë akt brutal të ndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë. Këto dokumente që gjenden në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, janë të drejta dhe nuk mund të fshihen. Por a janë zbatuar? Jo, ato nuk janë zbatuar plotësisht. Pas kësaj, në parantezë, duhet të vëmë citatet se si që gjatë luftës populli i Kosovës dhe i Metohisë, i cili përfaqësohej nga Fronti Nacionalçlirimtar Shqiptar i Kosovës e Metohisë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë të Krahinës së Kosovës e Metohisë, bëri mbledhjen e tij të parë në Bujan, ku mori një vendim (dhe këtu ky të citohet), i cili, duke u konsideruar si një vendim i përfaqësuesve të popullit të Kosovës në luftën kundër okupatorëve më 1944, u paraqit në Beograd, po pikërisht atje ai u hodh poshtë. Pastaj të vihet letra e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dërguar Komitetit Qarkor të Kosovë-Metohisë, ku i shpjegon se vendimi që kishte marrë mbledhja e Bujanit nuk ishte plotësisht i drejtë dhe të jepen arsyet që thuhen pse nuk është i drejtë (arsyet që shkruhen në letër).

Të vihen më tej citatet e Miladin Popoviçit dhe të thuhet se në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë ndodhen dorëshkrimet e tij dhe një nga këto dokumente ndodhet edhe në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Pas çlirimit ose në prag të çlirimit, Miladin Popoviçi u vra në Prishtinë nga një agjent i UDB-së ose i OZNA-s, sikurse quhej në atë kohë. Pas kësaj ngjarjeje shkoi në Kosovë ushtria, shqiptarëve atje i’u mblodhën armët dhe me ta u mbushën kampet e përqendrimit. Më poshtë të vihet citati i Dushan Mugoshës, i cili shkoi në Beograd dhe “në emër të popullit të Kosovës» kërkoi që krahina e Kosovës t’i aneksohej Serbisë. Ky është dokumenti i parë ku Dushani thotë, në fakt, se nuk e ka marrë pëlqimin e popullit të Kosovës për arsye të shtetrrethimit ushtarak, por do ta marrë më vonë. Pra ai nuk çoi atje zërin e popullit të Kosovës, por zërin e një shovinisti serb. Më vonë, pas tre muajve vjen dokumenti tjetër që paraqiti Dushani në mbledhje, ku pretendon se e kishte marrë pëlqimin e popullit të Kosovës, që ky të bashkohej me Serbinë, duke mbetur një provincë e saj. Këtu të vëmë në dukje organizimin e gënjeshtrës rreth të ashtuquajturit vullnet të popullit të Kosovës dhe të “vetëvendosjes”. Në bazë të të gjitha këtyre ngjarjeve duhen shpjeguar demonstratat paqësore të Kosovës, të cilat u kthyen më pas në demonstrata politike. Të gjitha këto ngjarje, që janë të dokumentuara, zotërinjtë e Beogradit i fshehin, prandaj të mos përpiqen aspak të thonë që shkaktarët ose organizatorët e tyre janë “reaksionarë”, “irredentistë”, “nacionalistë”, “shovinistë”. Por të gjithë këta që vumë në dukje më sipër çfarë janë?

Dhe përse nuk u bë kjo analizë në Komitetin Qendror të Lidhjes? Ç’hyjnë këtu akuzat kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë që s’ka ngritur kurrë çështje territoriale. Pasi të themi të gjitha këto, të dalim me konkluzionin: Ne mendojmë se udhëheqja jugosllave ka humbur gjakftohtësinë, gjë që s’është aspak as në interesin e vetë Jugosllavisë, as në interesin e marrëdhënieve të saj me Shqipërinë, as në të mirën e sigurimit ballkanik dhe të Evropës, për të cilin udhëheqja jugosllave, që është një nga protagonistet “më të shquara” të lëvizjes së Helsinkit, bën shumë zhurmë. Me këtë rast ne mund të shprehim edhe një herë idenë që Shqipëria socialiste ka deklaruar dhe është e vendosur që, në rast se sulmohet Jugosllavia nga një fuqi imperialiste agresive, ajo do të gjendet krah për krah me të. Të theksohet se udhëheqja jugosllave duhet të kuptojë se shqiptarët, qofshin këta të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, qofshin këta të Krahinës Autonome të Kosovës ose të Republikës së Kosovës, si edhe ata të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, do të jenë medoemos krah për krah me popujt e Jugosllavisë për të mbrojtur kufijtë e Federatës. Të themi se shqiptarët e Jugosllavisë nuk mund të jenë as kundër popujve të Jugosllavisë, ca më tepër kundër vëllezërve të tyre shqiptarë, me të cilët do të luftojnë në një llogore.

Këtë gjë nuk dëshiron ta kuptojë udhëheqja jugosllave, po logjika e kësaj politike të drejtë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë është kjo dhe s’mund të jetë tjetër. Udhëheqësit jugosllavë, të cilëve nuk u pëlqen kjo situatë dhe kanë qëllime të tjera nga ana e tyre, mund të mendojnë të kundërtën. Po ata bëjnë gabim, prandaj do t’i dënojnë popujt jugosllavë. I vështruar ky problem në këtë prizëm ne themi se shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë përbëjnë një faktor stabilizues në çfarëdo statusi shtetëror që mund të jenë në Jugosllavi. Udhëheqja jugosllave, duhet thënë në artikull, do të jetë mirë të bëjë çmos që popullin shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi, për të mirën e vendit, ta bëjë mik në rrugë të drejtë dhe jo armik. Edhe ne, vëllezërit e tyre në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, luftojmë që të jemi miq me popujt vëllezër të JugosIlavisë, prandaj u themi edhe atyre që të jenë miq me këta. Të përdoret pastaj edhe ajo që ka thënë Titoja, kur i ngrita çështjen e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara nga shqiptarë në Jugosllavi, se “tani nuk është koha për të ngritur kufijtë shtetërorë” dhe më pas vazhdoi të thoshte se “ato janë territore që i përkasin Shqipërisë”, ndërsa më vonë u ka thënë kosovarëve se, ke qëndruar në Jugosllavi, ata do të jenë njësoj sikur të ishin në Shqipëri. Me këtë Titoja nuk mohon çështjen që Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarë nuk mund të jenë në Shqipëri, po atëherë ishte një situatë e tillë që këtë gjë “e pengonte shovinizmi serb, prandaj nuk mund të realizohej kjo e drejtë”. Bile Titoja u thotë edhe këtë shqiptarëve që “ju jeni një faktor me rëndësi për të forcuar Federatën Jugosllave”. Mua më duket se në këtë kontekst ne i japim një përgjigje tjetër plotësuese dhe dërrmuese udhëheqjes jugosllave. Me argumentet që kemi artikulli duhet të bëhet i fortë dhe akoma më i qetë nga dy të parët. Me Ramizin rashë dakord që artikullin ta botojmë nga fundi i javës tjetër.

E SHTUNE 9 MAJ 1981
SI T’I ÇMINOJME E SI T’I SHPARTALLOJME AKUZAT ANTISHQIPTARE TE TITISTEVE LIDHUR ME NGJARJET NE KOSOVE

Mendime (vazhdim)
E kemi ndier, e ndiejmë dhe do ta ndiejmë si detyrë të përhershme të mbrojmë marksizëm-leninizmin. Kemi luftuar dhe do të luftojmë kundër teorive e pikëpamjeve revizioniste, oportuniste, reformiste, të çfarëdo ngjyre qofshin këto. Kjo është një e drejtë jona, ashtu sikurse kanë të drejtë të na luftojnë, dhe në këtë drejtim nuk lënë gjë pa bërë, të gjithë antimarksistët dhe partitë e ndryshme të borgjezisë. Ne kemi plotësisht të drejtë të mbrojmë sistemin tonë të diktaturës së proletariatit. Të tjerët kanë të drejtë të mbrojnë sistemet e tyre. Këtej rrjedh lufta ideologjike e natyrshme dhe e pashmangshme. Ju pretendoni se këtë luftë nuk e bëni kundër nesh. Kjo as ka qenë, as është e vërtetë. Ne e bëjmë dhe e deklarojmë, kurse ju e bëni dhe e fshihni. Ju pretendoni se një luftë e tillë ideologjike dobëson marrëdhëniet shtetërore, tregtare, kulturore. Ne themi dhe konstatojmë se këto nuk janë dobësuar, por përkundrazi janë forcuar dhe jo vetëm për vullnetin tuaj, por edhe tonin. As ju, as ne nuk i kemi bërë koncesione ideologjike njëri-tjetrit, por jemi marrë vesh në ato gjë ra që e kërkon interesi i përbashkët dhe s’jemi marrë vesh në ato çështje për të cilat nuk mund të pajtohemi kurrë. Marrëdhëniet shtetërore në bazë të parimeve të njohura të fqinjësisë së mirë kanë ecur përpara. Ne dëshirojmë që edhe në të ardhmen të vazhdojë kështu. Në qoftë se ju nuk do të dëshironi, askush nuk do t’ju pengojë të veproni ndryshe. Ne do të përpiqemi të gjejmë me ju një modus vivendi pa shkelur parimet. Ju pretendoni se “keni ulur vigjilencën” kundër të ashtuquajturave veprime armiqësore të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë kundër Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Kjo nuk është e vërtetë, pse luftën ideologjike e keni bërë hapur. Ju pretendoni se keni qenë “zemërgjerë” për hir të vazhdimit të marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve. Kjo, gjithashtu, nuk është e vërtetë: ju nuk vuani nga zemërgjerësia dhe as nga mungesa e luftës ideologjike kundër doktrinës sonë bazë, marksizëm-leninizmit, dhe regjimit tonë të diktaturës së proletariatit. Pse e fshihni këtë gjë? Por, me gjithë këtë realitet, realiteti tjetër i vazhdimit të fqinjësisë së mirë dhe të marrëdhënieve shtetërore vazhdon dhe ne dëshirojmë që të vazhdojë e të përparojë. Këto kohët e fundit ju jepni përshtypjen se këto marrëdhënie doni t’i kufizoni. Për këtë merreni ju përgjegjësinë. Fushatën antishqiptare pa baza dhe të gabuar që keni ngritur tash së fundi, por që nuk është as e re, as e dobët, ju doni ta forconi dhe do ta ngrini në një shkallë më të lartë. Bëjeni, ne nuk jemi kundër. Ju bëni tuajën, ne do të bëjmë tonën. Ju pretendoni në mënyrë hipokrite se nuk keni vënë në korent opinionin jugosllav dhe rininë tuaj për “mjerimin që mbretëron në Shqipëri, për mungesën e lirive dhe të drejtave të popullit shqiptar, për prishjen e kishave e të xhamive, për mbylljen e dyerve të Shqipërisë hordhive turistike prej hunësh, për mbylljen e portave tona flotës luftarake sovjetike dhe për kampet e shumta politike e për të burgosurit” etj.

Ne, nga ana jonë, do të flasim edhe më shumë nga sa kemi folur për “parajsën jugosllave”. Ne kemi folur për këtë “parajsë dhe begati ekonomike, shpirtërore dhe ideologjike” të Jugosllavisë, por do të freskojmë kujtesën e popullit dhe të rinisë sonë për të gjitha ato të këqija që ka parë në kurriz populli shqiptar nga ju, si para luftës, ashtu edhe pas Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo është në logjikën e gjërave të luftës që dëshironi të krijoni. Ju keni pretenduar pa të drejtë, dhe faktet historike vërtetojnë të kundërtën, se Jugosllavia ka pasë mbrojtur Shqipërinë. Aktualisht në plenumin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, që u mbajt vetëm për të goditur Kosovën dhe për të sulmuar Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në mes të tjerave u dëgjuan shumë zëra “të autorizuara” se “Jugosllavia Federative është mbrojtësja e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Kjo është një thënie “paternaliste” dhe e njëanshme, pse u harrua dhe jo pa qëllim e nga pozitat megalomane të një shteti më të madh, se edhe Shqipëria socialiste është një mbrojtëse e fortë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ne e kundërshtojmë politikën aktuale të jashtme dhe të brendshme të Jugosllavisë, pse e gjykojmë me plot rreziqe për vetë Jugosllavinë, për Shqipërinë, për Ballkanin dhe për Evropën, pavarësisht nga rrethanat dhe fjalët bombastike. por thellësisht të gabuara të vetadministrimit, politikës “së pavarur” dhe asaj të “të paangazhuarve”.

Çdo qeveri dhe çdo njeri që kupton nga politika dhe që i ndjek situatat që zhvillohen në botë, sheh se sa i gabuar dhe i mbarsur me rreziqe është ky kurs i politikës jugosllave. Kjo politikë është e ekspozuar në Jugosllavi në lakmitë dhe në agresionet e mundshme të imperializmit amerikan dhe të social imperializmit sovjetik. Ky kërcënim është pjella e rrezikshme e kësaj politike dritëshkurtër që shkakton instabilitetin brenda në Jugosllavi. Udhëheqësit jugosllavë jo vetëm që e predikojnë, por edhe e rekomandojnë te të tjerët sistemin e tyre vetadministrues si “formën dhe sistemin më të përsosur” socialist. Udhëheqësit jugosllavë e predikojnë politikën e tyre të jashtme sikur ajo do të shkatërrojë e do të çarmatosë fuqitë imperialiste agresive dhe do të sjellë paqen dhe begatinë në botë. Kjo politikë jo vetëm që është naive, por është një mashtrim, të cilin e demaskojnë ngjarjet botërore çdo ditë. Jugosllavia e vlerëson si një meritë të madhe të saj faktin që është e mbytur në borxhe. Këtë e quan “pavarësi ekonomike”. Ajo quan ruajtje e mbrojtje të pavarësisë së saj dhe të “mosangazhimit”, kur shoqërive shumëkombëshe imperialiste dhe sovjetike u është siguruar me ligj 50 për qind e fitimeve nga ndërmarrjet e përbashkëta ekonomike jugosllave. Ajo quan “të zgjuar, të hapur, të çiltër” hyrjen e turistëve të huaj dhe përhapjen e emigracionit ekonomik jugosllav në të gjitha vendet kapitaliste të botës; quan “gjest mirësjelljeje” që lejon luftanijet sovjetike të ankorohen, të riparohen e të furnizohen në portet jugosllave; quan të paevitueshme dhe gati “normale” krizën e madhe ekonomike që ka pllakosur Jugosllavinë, rritjen e madhe të inflacionit, shtrenjtësinë e jetesës së masave punonjëse.

Sipas udhëheqjes jugosllave, të gjitha këto nuk kanë të bëjnë as me vetadministrimin, as me “politikën e pavarur”, as me atë të “mosangazhimit”. Këto janë dy çështje që nuk influencojnë njëra mbi tjetrën, e para nuk është konsekuenca e së dytës, thonë “teoricienët” jugosllavë. Fajin e kanë shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, që “i nxit” ata me “politikën e saj etatiste-burokratike-staliniste, nacionaliste, irredentiste”. Jo, zotërinj udhëheqës jugosllavë, mos kini frikë nga e vërteta, jini pak realistë, se nuk është ashtu siç pretendoni ju. Juve jua ka ënda që ne të ndjekim rrugën tuaj. Kurrë s’do të bëhet kjo. Ne mund të rrojmë të varfër, por duam të rrojmë të lirë dhe të ndërtojmë mirëqenien. tonë që çdo ditë rritet. Këtë e bëjmë me forcat tona. Ne nuk i kemi borxh kurrkujt, ne nuk e shesim vendin te kapitalet e huaja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Sovjetik etj. Ne s’jemi të mbyllur në vetvete, po bëjmë tregti të ndershme e me leverdi reciproke. Fakt është që me ju po e shtojmë tregtinë çdo vit. Ne jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan. Le të merret pak me mend nga kushdo qoftë, se ç’do të ngjiste, në rast se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë u hapte dyert kapitaleve sovjetike, amerikane dhe të vendeve të tjera kapitaliste, ç’do të ngjiste në rast se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë u hapte anijeve sovjetike të luftës portet e Sarandës, Vlorës, Durrësit, Shëngjinit, siç bën Jugosllavia? Është e sigurt se po të bëhej kjo, do të rrezikohej jo vetëm Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, por Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, Republika e Greqisë, gjithë Ballkani dhe tërë Evropa.

Këtë s’e kemi bërë kurrë dhe as do ta lejojmë kurrë. Sovjetikët dhe kushdo tjetër as me dylbi s’do t’i shikojnë portet tona dhe kush do të orvatet të guxojë të bëjë një gjë të tillë, duhet të kalojë më parë mbi trupat tanë. Populli shqiptar e ka shpëtuar një herë Evropën, rilexoni për këtë luftërat e Skënderbeut. Ai është i përgatitur dhe i vendosur ta shpëtojë përsëri, po ta lypë nevoja. Bota kapitaliste dhe imperialiste i ka bërë shumë të këqija popullit shqiptar në çdo kohë. Edhe tani ajo përpiqet ta deformojë të vërtetën mbi Shqipërinë, ajo i ka grabitur pasuritë e saj dhe nuk dëshiron t’ia kthejë, ajo me hekur e me zjarr e ka vrarë popullin tonë dhe e ka djegur Shqipërinë dhe tani refuzon ose heziton t’i paguajë dëmet e luftës, kur të gjithë të tjerëve ua ka dhënë. Dhe kjo ngjet pse ne, një popull i vogël, duam të rrojmë të lirë, të pavarur, sovranë në vendin tonë dhe askujt s’i kemi bërë keq, veçse të mira kanë parë nga populli shqiptar. Askush dhe asnjë forcë nuk mund të na mposhtë në të drejtat tona të ligjshme. Zotërinj udhëheqës kryesorë jugosllavë, lini për një çast pasionet e sëmura dhe mendoni me gjakftohtësi: kjo politikë e shtetit shqiptar e rrezikon, apo e mbron Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë? Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë zyrtarisht dhe botërisht se, po të sulmohet Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ne shqiptarët e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, do të luftojmë tok me popujt e Jugosllavisë. Kjo e mbron apo e minon Federatën Jugosllave?

A mendoni ju se në këtë moment suprem, kur populli shqiptar i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i bashkuar me popujt e Jugosllavisë, do të luftojë krah për krah, sikurse ka vepruar edhe në Luftën e Dytë Botërore, kundër një armiku ose armiqve agresorë dhe invadorë të të dy vendeve tona, populli shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi do të na kthejë pushkën dhe do të bëhet kundër nesh duke marrë anën e sovjeto-bullgarëve ose të ndonjë agresori tjetër? Pse, zotërinj udhëheqës jugosllavë, shtrembëroni deklaratat tona dhe përpiqeni të na vini në gojën tonë gjëra që nuk i kemi thënë? Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë se as kemi shfaqur dhe as shfaqim kërkesa territoriale. Pse na akuzoni për shovinistë, për nxitës të irredentizmit, për nacionalistë? Duke na i bërë neve këto akuza pa vend, pa baza dhe të paqena, ju, sigurisht, dëshironi të fshihni diçka të rëndë dhe të padrejtë tuajën. Ne nuk kemi asnjë interes të dobësohet Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, përkundrazi, dëshirojmë që ajo të forcohet, por jo në kurrizin e shqiptarëve të Kosovës dhe të kësaj ose asaj republike. Dobësimi i Federatës i pëlqen Bashkimit Sovjetik revizionist-agresor dhe udhëheqjes revizioniste bullgare. Këtë të vërtetë ne e themi hapur, ndërsa ju keni frikë ta thoni. Për më shumë ju keni ngritur boritë se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dëshiron minimin e Federatës Jugosllave, po u bini borive se janë populli dhe rinia heroike shqiptare e Kosovës, ata që kërkojnë statusin e republikës, na qenkan kundërrevolucionarë dhe kërkojnë shkatërrimin e Federatës. /Memorie.al/