Prokuroria në Pejë, aktakuzë për korrupsion ndaj drejtoreshës për Kadastër, Gjeodezi e Pronësi në Komunën e Klinës

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj drejtoreshës në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në Komunën e Klinës, Njomza Grabanica.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj.

Prokurorja Dishaj-Haxhosaj ka njoftuar se aktakuzën ndaj drejtoreshës Grabanica e ka ngritur në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kurse, kjo aktakuzë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Pejë me 6 maj 2021.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar gjykatësi i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën e Pejës, Sami Sharraxhiu, duke shtuar se lënda i është ndarë në punë atij.