Turqia shpreson që gjatë mandatit të Osmanit, raportet me Kosovën do të thellohen edhe më tej

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin turk në Kosovë, Çagri Sakar, ku janë vlerësuar raportet e mira ndërmjet dy shteteve, “duke shfaqur shpresën se nën mandatin e Osmanit, ato do të thellohen edhe më tej”.

Siç njofton Presidenca, Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e deritashme, ka përmendur marrëdhëniet e mira tregtare ndërmjet dy shteteve dhe është angazhuar për hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit.

“Është diskutuar edhe për menaxhimin me pandeminë dhe pasojave të saj, sidomos në sferën e ekonomisë. Presidentja Osmani ka theksuar se bashkë me Qeverinë e Kosovës po e bëjnë të pamundurën për t`i siguruar vaksinat për qytetarët e Kosovës në bashkëpunim edhe me vendet mike”, u tha në komunikatën e Zyrës për për Informim të Presidencës. /Zëri