Paraburgim për të dyshuarin që goditi me shkop në kokë një person në Shtërpcë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit P.S. për shkak të vepres penale “Vrasje në tentativë”.

Sipas njoftimit të Gjykatës i dyshuari më 18 prill në një fshat të komunës Shtërpcë, kishte tentuar që të privonte nga jeta viktimën M.T. duke e goditur me shkop druri në pjesën e kokës.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se i pandehuri më 18 prill 2021, në një fshat në Komunën Shtërpcë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin M.T., në atë mënyrë që pas një fjalosje, e cila kishte ndodhur derisa të njëjtit gjendeshin në shitoren e fshatit, i pandehuri paraprakisht del nga lokali, merr një shkop druri (bisht sëpate) dhe pret në anën e kundër të rrugës, derisa i dëmtuari del nga lokali dhe niset në drejtim të fshatit, i njëjti e godet dy herë me shkop druri në pjesën e kokës, me ç ‘rast si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari rrëzohet në tokë dhe pëson lëndime trupore, për çka më pas dërgohet për ndihmë mjekësore fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas edhe në Spitalin e Graqanicës”, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. /Zëri