Selmanaj: Ju kemi thënë me kohë, mendësia totalitare nuk di ndryshe

Deputeti Driton Selmanaj ka reaguar pas publikimit të lajmit nga “Insajderi” se ministri Shëndetësisë Arben Vitia nuk ka nënshkruar marrëveshjen për të marrë vaksinat anti-COVID nga “Pfizer”-i.

Selmanaj është shprehur se Qeveria fillimisht do t’i “lëshohet në qafë” mediave, e pastaj i kapin organet e ndjekjes dhe organet e drejtësisë në fund.

“Ju kemi thënë me kohë!. Mendësia totalitare nuk din ndryshe. Fillimisht ju lëshohen në qafe mediave dhe zërave kritikë, pastaj i kapin organet e ndjekjes dhe organet e drejtësisë dhe në fund ballafaqohen me një shoqëri pa imunitet dhe pa forcë reaguese. Prandaj sa nuk është vonë, këtë mendësi duhet ndal dhe duhet këput rrënjët që në nismën e saj. Ky vend dhe kjo shoqëri mendësinë totalitare e ka arkivuar si periudhën më të errët të historisë!”, ka thënë Selmanaj.

Ai po ashtu inkurajoi prokurorët, policët, gazetarët e politikanët që të mbledhin forcat e të refuzojnë, siç e quan ai “këtë mendësi”.

“Patriotë shqiptarë, qofshi prokurorë apo gjyqtarë, policë apo agjentë të AKI-së, politikanë apo funksionarë publik, gazetarë apo aktivistë të shoqërisë civile, mblidhni forcat dhe REFUZONI këtë mendësi. Kosova është vendi ynë i shtrenjtë!”, ka shkruar deputeti Selmanaj në Facebook. Ndryshe, Prokurori i Shtetit e ka autorizuar sot Policinë e Kosovës, për të iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19. /Zëri