Arrestohen pronarët e dy kompanive në Prizren, dyshohet se falsifikuan dokumente për tenderë me Komunën

Pas grumbullimit të informacioneve lidhur me një publikim të rrjetit të organizatave joqeveritare AVONET, Prokuroria Themelore në Prizren ka arrestuar dhe ndaluar pronarët e dy kompanive, NABS dhe CONS ENG.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se arsyeja e arrestimit është për shkak se të dyshuarit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi e mashtrimi në prokuroim publik”.

Sipas njoftimit, më datën 12 prill rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prizrenit, ku ata pretendonin se fatura e datës 1 maj 2020 është e dyshimtë, pasi nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit CONS ENG, si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit NABS.

Lexoni edhe këtë: AVONET: Komuna e Prizrenit lidh kontratë mbi 1 milionëshe me një kompani që ofroi dokumente fiktive

“Më datë 12 prill 2021, Rrejti i Organizatave Joqeveritare ‘AVONET’ ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit ‘Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit’, numër të prokurimit 622-20-2058-2-1-1, me titull ‘Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394.853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)’, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr. 1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit ‘CONS ENG’ sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit ‘NABS’ SHPK”, thuhet në njoftim.

Pas publikimit të kësaj deklarate, prokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informacioneve, duke siguruar dosjen e tenderit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, të njëjët janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. /Zëri