Letër e hapur për hoxhë Shefqet Krasniqin
I nderuari hoxhë Shefqet Krasniqi,
I nderuari hoxhë Krasniqi, pas debatit rreth rolit të femrës në shoqëri, po të drejtohemi me letër të hapur, meqë konsideroj se disa prononcime tuat janë në kundërshtim me sistemin demokratik që e kemi instaluar në Kosovë.
I nderuari hoxhë Krasniqi, ne jemi të një trualli dhe flasim të njëjtën gjuhë dhe konsideroj që kemi mundësi që të kuptohemi mirë me njëri-tjetrin përmes një qasjeje konstruktive, sepse debati rreth të drejtave të femrave ka devijuar dhe është stërkequr.
Unë, që po ju drejtohem juve, jam politikologe me profesion, por para se të arrija këtë gradë kam qenë një aktiviste që nga mosha 15-vjeçare, bile qysh në vitin 1981 kam qenë e organizuar në grupin “Shotë Galica” të Ferizajt. Unë si femër në grupin tonë të ilegales (që përbëhej nga shumë meshkuj dhe femra) patëm votuar dhe zgjodhëm një femër kryetare të grupit. Pra, të gjithë meshkujt anëtarë të grupit, vëllezërit tanë, pranuan që femra të jetë prijëse e tyre, meqë ne luftonim dhe ishim të përbetuara që në mënyrë të barabartë me meshkujt të kontribuonim për lirinë e këtij vendi.
I nderuari hoxhë Krasniqi, sa e sa femra janë burgosur e maltretuar e vrarë sikurse vëllezërit tanë pa dallim gjinor për të kontribuar për liri. Lista me emra të të burgosurave femra është shumë i gjatë.
Përpos kësaj, femrat shqiptare, kudo që ishte, me fëmijë për gjiri dhe shtatzëna e barkun e fryrë deri te gusha nuk kanë ndenjur te shtëpia e me lënë burrin vetë, por janë organizuar krah përkrah me vëllezërit dhe nuk janë ankuar për stërngarkesa në luftën tonë për liri. Këtë gatishmëri për luftë femra shqiptare në mënyrë të vetëdijshme e mori mbi supe dhe nuk lejoi që vëllezërit shqiptarë të mbesin kaçakë të maleve, siç mbetën shumë trima. Me përfshirjen e femrës në kauzën për liri u përkrah edhe lufta jonë nga bota demokratike se përndryshe mund të zbehej dhe të shuhej rezistenca jonë, siç ka ndodhur gjatë historisë, sepse vetëm me një Shotë nuk mobilizohet e gjithë popullata. Pra, edhe lista me luftëtare femra flet se femra shqiptare nuk e pret lirinë që t’i servohet në pjatë, por kapi armën edhe luftoi. Bile, po që se do të kishte armatim të mjaftueshëm lista e vullnetareve femra për të luftuar do të ishte edhe më e gjatë, sepse femrat në mënyrë të vetëdijshme ishin të gatshme të sakrifikohen dhe të priheshin me sloganin: “Ja vdekje, ja liri”. Femrat gjatë luftës jo vetëm që ishin të devotshme, por u dalluan edhe si prijëse në beteja.
I nderuari hoxhë Krasniqi, pas mbarimit të luftës shpresoja që tani barazia gjinore do të mirëpritet dhe përqafohet edhe nga njerëz që kishin hezitim për të drejta të barabarta në mes gjinive. Me këtë besim dhe me këtë vrull, erdha nga shtetet skandinave, në vitin 2004, përmes “World University Service” dhe mora përsipër që teoritë e barazisë gjinore t’i zbërthej para studentëve të Universitetit Prishtinës.
I nderuari hoxhë Krasniqi, në teoritë e barazisë gjinore që janë pjesë e qenësishme e vlerave demokratike nuk ka ndarje të drejtave mes njerëzve, por kërkohet që çdo njeri pavarësisht përkatësisë gjinore të kontribuojë pa u kursyer në të gjithë lëmenjtë, si në sferën private, ashtu dhe atë publike. Mbi këtë bazament është ndërtuar bota demokratike, sepse femra është gjysma e popullatës së çdo shteti dhe fuqia e saj duhet të merret në konsideratë dhe të respektohet.
I nderuari hoxhë Krasniqi, kontributi i femrës si në sferën private dhe publike duhet të përkrahet edhe nga ju, sepse është në dobi të familjes suaj, është në dobi të shoqërisë tënde, respektivisht shoqërisë sonë.
I nderuari hoxhë Krasniqi, ju bëj apel të hapur, ty dhe gjithë atyre që mbajnë ligjërata para popullit, që t’i pranoni vlerat e demokracisë dhe përpiqeni që ta kuptoni feminizmin demokratik të shëndoshë e jo atyre që në emër të feminizmit kanë cenuar vlerat më të çmuara të barazisë. Asgjë të përbashkët nuk ka feminizmi me devijimet që ndodhin, në shoqërinë tonë ose gjetiu, në emër të feminizmit. Devijimet të këtilla janë të ngjashme si me devijimet tjera, për shembull si përdorimi i drogës ose stërkeqeve të ngjashme. Duhet ta kuptojmë dhe të sqarohemi një herë e mirë se demokracia nuk ushqen asnjë lloj stërkeqe. Demokracia është në përkrahje të lirisë së çdo individi, i cili në mënyrë të vetëdijshme dhe me ndërgjegje duhet të ketë përgjegjësive për veprimet e veta individuale. Liria dhe barazia kërkon përgjegjësi dhe arsyeshmëri për çdo veprim individual.
I nderuari hoxhë Krasniqi, barazia gjinore është vlerë e pa kontestueshme dhe ne së bashku pa dallime të grupimeve religjioze duhet ta mbështesim këtë vlerë të shoqërisë tonë. Nuk duhet lejuar të turbullohet mendja asnjë predikati të asnjë feje që të ngatërrojë vlerat e demokracisë me devijimet nga rrymat e fenomenet e ndryshme që mund të shfaqen në shoqëri. Sikurse në konfeksionet religjioze që ekzistojnë sekte të ndryshme që ju sigurisht nuk pajtoheni ashtu edhe në ideologjitë feminist ekzistojnë rryma të ndryshme që tentojnë të fragmentarizojnë feminizmin demokratik.
I nderuari hoxhë Krasniqi, një gjë është e kristaltë si loti që me barazi gjinore rritet e mira e shoqërisë, sepse edhe femra jep maksimumin e vet për ta ndërtuar dhe të mirëmbajë familjen e shoqërinë.
I nderuari hoxhë Krasniqi, bindja e çdo individ ose prijësi për një fushë të caktuar duhet të ushqehet me njohuri të thella e argumente të fuqishme për ta kuptuar drejt çdo fenomen shoqëror. Në predikimet e juaja do të dëshiroja që të dëgjoj komentime e interpretime që i shërbejnë zhvillimit shoqëror për ta fuqizuar demokracinë në shoqëri dhe për t’i mbrojtur vlerat e shëndosha të shoqërisë. Ju mund të shërbeni si një hoxhë duke përpjekur që ta interpretoni kuranin për ta përshtatur për jetesën bashkëkohore. Për ta marrë një hap të këtillë nevojitet guxim dhe përkrahje, gjë që nuk do të ju mungojë, sepse do të gjeni nëse angazhoheni për këtë mision. Në të vërtetë ju vetë duheni të merrni iniciativë për rivlerësimin e barazisë gjinore, sepse paqja, mirëkuptimi, respekti dhe vlerat në mes barazisë gjinore janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike.
Ne, me shumë gjak e me sakrifica të panumërta, kemi luftuar për ta sjellë demokracinë në këto troje dhe të mos lejomë, as unë si politikologe, por as ju si hoxhë, shkatërrimin e këtyre të arriturave, që ende janë të brishta në vendin tonë.