Doli për të blerë bukë për syfyr, vitiasi gjobitet me 200 euro që shkeli orën policore

Policia e Kosovës vijon monitorimin e zbatimit të masave anti-COVID.

Përmes raportit 24-orësh, PK-ja njofton për qindra gjoba të shqiptuara brenda një dite për qytetarët dhe bizneset që nuk i respektojnë masat kundër koronavirusit.

Së fundmi u bënë virale dy gjoba të shqiptuara në Viti.

Një qytetar ka njoftuar se është gjobitur me 200 euro nga policia që shkeli orën policore kur në kohën e syfyrit doli për të blerë bukë, njofton televizioni lokal “Plus TV”.

Gjithashtu edhe një tjetër qytetar nga Vitia ka njoftuar para disa ditëve se ishte gjobitur nga policia e Kosovës me 200 euro, pasi kishte dalë për të blerë byrek.

Me masat e reja Qeveria e Kosovës ka vendosur të kufizojë lirinë e lëvizjes në Kosovë nga ora 22:00 deri në orën 05:00 si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19, duke vendosur orë policore.