Policia arreston dy grupe të hajnave në Prizren, që vodhën për tre vjet rresht

Gjatë viteve 2018, 2019 e 2020 në fshatrat Lubizhdë dhe Skorobisht të Prizrenit kishin ndodhur disa vjedhje nëpër shtëpitë e banorëve të kësaj zone.

Për këto ngjarje hetuesit bashkëpunuan me prokurorin e Shtetit në Prizren dhe filluan me masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit ndaj një grupi të caktuar kriminal.

Hetimet fillestare, sipas PK-së, dhanë rezultatet e para dhe fillimisht u arrestuan tre persona të dyshimtë, B.S., A.A. dhe H.B., të cilët tani gjenden në burg dhe në pritje të gjykimit.

“Ndërsa policia po vepronte me masa të fshehta teknike, u identifikua edhe një grup tjetër i përberë nga tre persona të tjerë, të cilët u intervistuan në cilësinë e personave të dyshimtë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në përgjithësi u zbuluan shtatë raste të vjedhjeve në Lubizhdë dhe në Skorobisht.

Sipas Policisë, dëmet nga këto raste e kalojnë vlerën materiale mbi 22.000 euro.

“Policia rajonale në Prizren është e përkushtuar të punojë, të hetojë dhe të zbulojë të gjitha rastet e veprave penale, andaj falënderojmë qytetarët e rajonit të Prizrenit për besimin dhe gatishmërinë e dhënë në zbulimin e rasteve penale dhe njëherësh kërkojmë që bashkëpunimi të thellohet edhe më shumë në interes te sigurisë dhe mbrojtjes së pasurisë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri