Kabashi: Nëse Daku s’e meriton ftesën, nuk e di kush duhet ta meritojë

Mirlind Daku vazhdon shkëlqimin në Superligë. Sulmuesi i Ballkanit shënoi gol në fitoren 2-0 kundër Trepçës ’89 duke arritur në kuotën e 26 golave këtë sezonë.

Përzgjedhësi i Kosovës Bernard Challandes, sot ishte prezent në Mitrovicë për të ndjekur nga afër ndeshjen.

Zvicerani ende nuk është bindur që ta ftojë Dakun në grumbullim për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës dhe miqësoren ndaj Lituanisë.

Presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi është i bindur që sulmuesi duhet të jetë në listën e Kosovës.

“Po qysh nuk e meriton ftesën Daku. Nëse ai s’e meriton ftesën, asnjë tjetër që është aty nuk e meriton. Nuk e di a ka ardh Challandes sot për Dakun apo për ndonjë lojtar tjetër. Nëse ka ardh për Dakun besoj që do ta ftojë sepse e pat një ndeshje shumë të mirë dhe na ndihmoi me arrit fitoren” deklaroi Kabashi për Indeksonline.

Drejtori teknik i Kosovës, Muharrem Sahiti ditë më parë deklaroi se kur bëhet seleksionimi i futbollistëve merret parasysh niveli i ligës. Presidenti Kabashi nuk pajtohet me deklaratën e Sahitit.

“Ma merr menja që është një deklaratë e pamenduar sepse po e ul shumë Superligën tonë. Liga jonë nuk është nivel i ultë nëse krahasohet me ligat në rajon apo edhe disa tjera në Evropë. Daku ka minuta edhe gola sa të gjithë futbollistët që janë duke lujtë tash në kombëtare. Sulmuesit tjerë nuk kanë shumë minuta, por ai është mendimi i trajnerit Bernard Challandes dhe ata e dijnë më mirë” përfundoi Kabashi