Shqipëria, Ballkani dhe roli i SHBA-së, prisni dhe shikoni…

Nga Spartak Ngjela

Në të gjithë politikën perëndimore sot po shihet me një interesim të madhe aleanca amerikano – shqiptare për Ballkanin Perëndimor.

Kjo do jetë në këtë kohë, nyja speciale e historisë së re në Ballkanin Perëndimor. Por, edhe në Evropë.

l.

Aleancë midis Shqipërisë dhe Amerikës, që tani duket të jetë shumë më aktive, ka shqetësuar më shumë Moskën dhe Beogradin, por edhe Athinën.

Në fillim të viteve 90′ këta e menduan afatshkurtër aleancën amerikano-shqiptare, dhe u turrën që të krijonin një islamizëm radikal në Shqipëri, se shkonin me metodën e vjetër që i quanin shqiptarët turq. Të parët, u kapën krerët e Partisë Demokratike. Por, kjo ndërmarrje dështoi, me gjithë ndihmën që iu dha politika e shqiptarëve të shitur, e cila tani njihet mirë nga politika amerikane, emër për emër.

Ashtu siç dështoi edhe Esat Toptani, me emër rrugë ne Beograd, dhe me njollë turpi e tradhtie në Shqipëri.

Por, gjithçka u bë e qartë pas luftës për çlirimin e Kosovës, sepse këtu spikati hapur politika amerikane me interes të plotë për botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe prandaj u kuptua që aleanca shqiptaro-amerikane do të ishte afatgjatë dhe me interes të rëndësishëm amerikan për Ballkanin Perëndimor.

ll.

Në lidhje me këtë, neve tani na duhet të theksojmë se ka kaluar një histori e hidhur për shqiptarët, në shumë shekuj, me hordhitë sllave: bullgare në fillim, dhe sërbo-ruse më vonë; deri në gjymtimin barbar të territorit shqiptar në vitin 1913.

Por tani gjithçka ka ndryshuar, dhe politologët që e njohin historinë, po qeshin me shqetësimin deri në tmerr që po tregon presidenti i Serbisë Vuçiç, bashkë me disa njerëz të tjerë rrotull tij. Këta dallojnë që janë pa fare vlerë politike si Daçiç, Vulin, apo dhe një kryeministre aktuale që nuk ka fare njohje për historinë.

Gjithsesi, pikërisht këtyre, si pasardhës të drejtpërdrejtë të Miloshrviçit, u takoi ta përjetonin fundin e aventurës së tyre banditeske.

Këta të mjerë, si edhe paraardhësit e tyre, i obsedon hapësira e pushtimit mesjetar serb të Stefan Dushanit (1312-1355), i cili e shpalli veten car, dhe që ishte një pushtues i madh hapësirash në Evropën Juglindore, domethënë në Gadishullin Ilirik; dhe një armik i betuar i katolicizmit, e sidomos persekutor i egër i katolikëve shqiprarë. Në fakt, ky është edhe autori i pushtimit të Manastirit katolik-shqiptar të Deçanit. Janë të dokumentuara në Vatikan kishat katolike shqiptare të pushtuara me dhunë nga ortodiksia ushtarake serbe. Por, a do t’i ekspozojë Vatikani këto dokumente të një vlere të madhe ndaj së vërtetës? Sigurisht që do t’i çelë këto dokumente arkivale, sepse e obligon logjikisht aleanca amerikano-shqiptare.

Sot, është pikërisht kjo arsye që Beogradi dhe Athina, janë në frikën e shpalosjes të së vërtetës historike në lidhje me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo do të jetë epiqendra e politikës së lartë perëndimire, sidomos tani me ardhjen si president i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Nëse këtë proces arkivor do ta hapë politika amerikane, aleanca e përmendur, do të krijojë risi edhe për politikën evropiane.

lll.

Na duhet të theksojmë se e gjithë frika sërbe dhe greke, është tek historia e Ballkanit Perëndimor, si e vërteta shqiptare që është fshehur. Por, në këtë hulli shqetësimi është sot edhe politika ruse, sepse, në dy shekujt e fundit, ajo e ka si pikësynim të saj konstant serbizimin e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Historia iu ka treguar serbëve, se, që nga viti 1330, pengesa e vetme e tyre ka qenë burrëria dhe trimëritë e arbërorëve në fillim dhe e shqiptarëve më pas. Nuk e keni parë se sa shumë e tremb politikën e sotme serbe emri ndërkombëtar Albania, i Shqipërisë? Sepse këta janë njerëz antihistorikë?!!

Kuptohet se në këtë kohë, brenda interesit të vet, politika amerikane ka kapur dhe e njeh mirë historinë e fshehur me kast ndërkombëtar kundër shqiptarëve. Ka qenë një komplot i madh ndërkombëtar antishqiptar ai që ka sjellë gjymtimin e Shqipërisë, gjenocidin antishqiptar të serbëve në Kosovë dhe grekëve në Epir. Ka qenë një marrëzi historike e pseudohistorianëve serbë që kanë shkruar mijëra faqe me arsyetim fals për autoktoninë e serbëve në Ballkanin Perëndimor. Kanë arritur deri aty pretendimet e një historie fals të tyre, sa edhe gjuhën shqipe e kanë quajtur një degë gjuhësore të serbishtes. E njëjta gjë, edhe pse jo kaq e marrë dhe fals, sheh të ketë qenë edhe historiografia greke për Epirin dhe Çamërimë. Falsitete fëminore kanë qenë, por jo si ato të pseudohistorianëve serbë.

Pikërisht në këtë kohë, kjo histori e fshehur dhe antishqiptare, ka nisur të ridalë brenda të vërtetës së vet, në një pah dokumentar. Historia e vërtetë e Shqipërisë, e errësuar me kast deri tani nga një komplot ndërkombëtar antishqiptar, është në rrugën e ndriçimit të saj. Ndërkohë po pritet që për këtë histori të fshehur, të flasin katedrat e universiteteve të mëdha amerikane. Madje ato kanë filluar të flasin me personalitet historik për ngjarjet e mëdha historike të popullit shqiptar, por dhe për vlerën e madhe që ka në këtë histori gjuha shqipe, e cila tani, në një rrafsh të madh akademik, është quajtur gjuha e autoktonëve të Ballkanit Perëndimor, dhe si gjuha më e vjetër e Evropës.

Kur koha do ta denoncojë plotësisht këtë turp historik antishqiptar, të kryer nga pseudohistorianë bandash dhe kryetarë shtetesh mesjetare, do të fillojë rikrijimi i etnisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Serbët kanë dështuar, sepse dështuan metodat genocidiale të çmendurisë së liderëve të tyre patologjikë, që kërkonin me histeri “shfarosjen e shqiptarëve”.

Prandaj, për të gjitha ato që theksuam:

Gjithçka tashmë ka filluar të flasë për shqiptarët.

Prisni dhe shikoni…