Dialogu Kosovë - Serbi, sipas një metodologjie të re dhe me përfshirje aktive amerikane

Serbia, dialogun e ka përdorë si gomë shpëtimi në ujërat e turbullt të intrigave ballkanike, ku Brukseli ka treguar një qëndrim jo etik e aspak parimor ndaj problemeve me të cilat është ballafaquar Kosova si pasojë e politikave agresive serbe në planin ndërkombëtar. Prandaj është e padrejtë të kërkohet nga Kurti që kabinetin e tij qeveritar, qysh në ditët e para, ta shndërrojë në ofiqinë dëshirash që vinë nga Beogradi

Ata që imponuan dialogun me Serbinë si prioritet madhor, në fakt gjatë gjithë kohës kanë punuar që të mos mbarojë kurrë ky dialog dhe, për rrjedhojë, Kosova në vazhdimësi të mbahet peng i kërkesave irracionale e idiotike të Beogradit. Sepse vetëm duke e trajtuar dialogun dhe Serbinë si problem i brendshëm i Kosovës, politikanët e vjetër që pësuan debakël në zgjedhjet e 14 shkurtit, iu kanë ikur çështjeve të ndjeshme që kërkojnë përgjegjësi institucionale, siç janë ulja e papunësisë, zbutja e varfërisë, rritja e bruto-prodhimit vendor, përmirësimi i klimës së biznesit, zhdukja e hajnisë shtetërore, konsolidimi i sistemit të drejtësisë, zvogëlimi i analfabetëve me diplomë universitare, ndërprerjen e shërimit të kosovarëve jashtë vendit etj. etj.

Albin Kurti mori mbështetje plebishitare nga shumica e popullit të Kosovës pikërisht për t’i zgjidhur këto çështje neuralgjike. Prandaj është e padrejtë të kërkohet nga Kurti që, kabinetin e tij qeveritar, qysh në ditët e para, ta shndërrojë në ofiqinë dëshirash që vinë nga Beogradi, duke lënë pas dore problematikat tepër emergjente me të cilat ballafaqohet popullata e Kosovës, përfshi edhe menaxhimin me pandeminë.

Dialogu me Serbinë është tepër jetik për Kosovën, por jo siç po e kuptojnë disa qarqe diplomatike në Europë dhe disa analistë dhe njerëz publikë në Prishtinë.
Në radhë të parë, Kosova duhet ta dijë prej përpara se çka fiton nga dialogu dhe kur do të ndodhë përmbyllja me sukses e tij. Sepse deri më tani Kosova vazhdimisht ka qenë e pranishme në tryezat e dialogut, por asgjë nuk ka fituar. Përkundrazi, i është krijuar njëfarë hapësire manovrimi Serbisë për t’i imponuar qëndrimet e saj shantazhuese e komprometuese kundrejt Kosovës, pa e harruar aksionin e saj diplomatik në procesin e çnjohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe pengimin e anëtarësimit të saj në disa organizata ndërkombëtare.

Serbia, dialogun e ka përdorur si gomë shpëtimi në ujërat e turbullt të intrigave ballkanike, ku Brukseli ka treguar një qëndrim jo etik e aspak parimor ndaj problemeve me të cilat është ballafaquar Kosova si pasojë e politikave agresive serbe në planin ndërkombëtar. Brukseli e ka toleruar tej mase Serbinë të imponojë qëndrimet e saj dystandardëshe ‘’mirë me Brukselin, por mirë me Moskën’’, duke ia vështirësuar Kosovës të zhvillojë politikat e saj autonome në raport me kërkesat e qytetarëve të saj, përfshi edhe serbët lokalë. Është absurd ky qëndrim i Brukselit, i cili në vend se të inkurajojë institucionet dhe qeveritarët në Prishtinë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, si parakusht për të aderuar në BE, paradoksalisht e ka imponuar Serbinë si çështje të pazgjidhur, thuaja se Kosova ndodhet ende në fazën e hershme të para pavarësisë së saj.
Në këtë mënyrë, BE padrejtësisht i ka zhvendosur prioritetet ndaj kosovarëve, duke i detyruar këta të fundit të shohin tek Serbia njëfarë shpëtimi për kauzat e tyre euro-integruese(!), në vend se të ndodhte kundërta: Serbia të testojë rrugëtimin e saj drejt BE-së përmes hapave që do të ndjek në raport me çështjet ndaj Kosovës (!).

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë dhe ardhja e një politikani parimor e vizionar në krye të SHBA-ve, siç është presidenti Joe Biden, do të duhet të jenë pikat që shënojnë kufirin ndarës në mes të qasjeve të deritanishme joproduktive ndaj dialogut Kosovë- Serbi, që e kishte imponuar Brukseli dhe një metodologjie krejtësisht të re, ku Washingtoni do të përfshihej si aktor aktiv në këtë proces, duke i sjellur rajonit një klimë mirëbesimi dhe mirëkuptimi për të gjithë, ku Kosova gjithsesi do të përfitonte nga tejkalimi i çështjeve të hapura me Serbinë.

Bazat e kësaj metodologjie të re do të duhej të merrnin për bazë disa faktorë që mund të determinojnë një qasje krejt tjetër sa i përket raporteve Kosovë-Serbi.

E para - Serbia domosdoshmërisht të trajtohet si palë negocuese që nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet ndaj Kosovës.
E dyta – të avancohet performanca vendimmarrëse e serbëve lokalë të Kosovës, duke i liruar ata nga ndikimi arbitrar i Beogradit .

E treta – në të gjitha tryezat negociuese të përfshihet edhe një përfaqësues amerikan, si garantues i efikasitetit dhe kredibilitetit të dialogut Kosovë-Serbi

E katërta (më e rëndësishmja) – t’i lihet hapësirë Albin Kurtit, t’i zhvillojë politikat e tij qeveritare në afat prej dy vitesh, dhe tek pastaj të hartohet metodologjia e re e dialogut Kosovë-Serbi.

Pa një metodologji të re (teknike-politike) dhe pa një pjesëmarrje aktive të përfaqësuesve amerikanë në tryezat e dialogut Kosovë-Serbi, diplomatët në Bruksel dhe disa analistë në Prishtinë kot i bëjnë presion Albin Kurtit të tregohet më entuziast ndaj çështjes së dialogut. Anomalia e këtij presioni nxjerr në shesh tendencën djallëzore për ta imponuar Serbinë si temë të brendshme të Kosovës,në njërën anë, dhe për ta larguar Albin Kurtin nga kursi i reformave dhe politikave radikale qeveritare që i ka paralajmëruar, në anën tjetër. Pra, dialogu si temë, më tepër po imponohet si karem shantazhues ndaj qeverisjes së ardhshme të Kurtit, dhe aspak si kusht për rrugën euro-integruese të Serbisë, se sa si ndonjë çështje që vërtetë do të prodhonte efekte spektakolare në favor të Kosovës.
Kosovarët do ta perceptonin dialogun me Beogradin stop - prioritet, vetëm atëherë kur Brukseli garanton se Serbia do të detyrohet ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj dhe do të bashkëpunojë me ekipet hetuese për identifikimin e vendndodhjes së të pagjeturve, do të paguaj reparacionet e luftës në Kosovës sipas kritereve ndërkombëtarisht të njohura dhe përfundimisht do të heqë dorë nga instrumentalizimi i serbëve lokal dhe shndërrimi i tyre në instalacion të politikave agresive serbe kundër Kosovës.

Nëse nuk ndodhin këto, do të shtohen edhe më tepër njerëzit që i besojnë Albin Kurtit dhe sidomos qasjes së tij ndaj dialogut Kosovë-Serbi, kurse dozat e euroskepticizmit në favor të proamerikanizmit do të rriten në kuota edhe më të larta.