Fushata anti-Kurti, ose shterpësia e platformave zgjedhore
Fenomeni Albin Kurti në politikën kosovare është prodhim i një realiteti trivial që e injektoi klasa e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme politike. Prandaj Kurti po e ushqen diskursin publik parazgjedhor të partive dhe kandidatëve për deputetë. Të tjerët, në mungesë kauzave të tyre, merren me deklaratat e Kurtit e Osmanit dhe me simbolikën e tyre në fushatë, kurse Kurti e Osmani trajtojnë tema e ide që do t’i përfshijnë në programin qeverisës.
Po të mos ishte Albin Kurti, partitë do të ngelshin pa kauzat e tyre në fushatë. Po shihet se Kurti po e ushqen diskursin publik parazgjedhor të partive dhe kandidatëve për deputetë. Të tjerët merren me deklaratat e Kurtit e Osmanit dhe me simbolikën e tyre në fushatë, kurse Kurti e Osmani trajtojnë tema e ide që do t’i përfshijnë në programin qeverisës.
Të merresh me të tjerët, do të thotë të mos kesh ide e vizion tëndin, sepse më së lehti është të analizosh punën e tjetrit. Kur nuk ke bërë ndonjë punë të hairit, më së lehti është të merresh me punët e të tjerëve që ende nuk kanë filluar.
Çuditërisht këtë dikurs shterp e tepër problematik të partive politike e kanë përvetësuar edhe disa të ashtuquajtur analistë nëpër studiot televizive, për të cilët Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë bërë kerozin për motorët e tyre të coftë. Në retorikën e tyre antikurti, nuk ka vend për ndonjë kritikë ndaj politikës 20-vjeçare në Kosovë, e cila ishte sinonim i kapjes së shtetit, i militantizmit partiak të institucioneve, i zhveshjes së kompetencës profesionale në punën e bordeve e digastereve të ndryshme, i futjes së sistemit të drejtësisë në çengelet e ndikimit politik, i dëbimit të investitorëve të huaj, i degradimit të shëndetësisë dhe arsimit deri në përmasa të turpshme, i dëshpërimit të rinjve të talentuar e me diplomë dhe zëvendësimi i tyre me militant partiak që në punë shkojnë një herë në muaj vetëm sa për të marrë rrogën apo honorarin etj. etj.
Në Kosovë ka plot politikanë të pasur që kanë arritur të bëhen milionerë nga prindër fukarenj dhe pa pasur ndonjë fabrikë. Një politikan perëndimor kur vjen në Kosovë gërditet nga ky stil grabitës i të bërit politikë sipas sistemit mafioz të haraçit e zhvatjes dhe nuk ke si t’i bindësh ata se Kosova është një ambient i shëndosh demokratik ku në krye të saj janë politikanë më të pasur se fabrikantët e Gjermanisë apo Anglisë.
Në Kosovë ka plot lëndë që rrinë mbyllur nëpër sirtarët e gjykatave e prokurorive, sepse ato janë të mbushura plot me bëma kriminale të njerëzve të fuqishëm të politikës dhe të afërme të tyre. Prokurorët dhe gjykatësit as në ëndërr nuk mund ta shohin hapjen e këtyre lëndëve dhe çdo njëri prej tyre mendon të ngrihet në karrierë duke e fsheh krimin nën rrogozin ndikimit politik.
Në Kosovë ka spitale e klinika në të cilat punojnë mjekë të shkëlqyeshëm, por pacientët janë të detyruar të shkojnë në Shkup për t’u shëruar sepse sistemi shëndetësor i ngritur nga politikanët halabakë ka një milion defekte e mangësi si në aspektin e pajisjeve teknologjike dhe furnizimit me materialin e nevojshëm sanitar, ashtu edhe në aspektin e modernizimit të sistemit shëndetësor me një qasje krejt të re menaxhuese, siç e kanë disa spitale dhe klinika në Shkup, në Turqi e gjetiu.
Në Kosovë ka pasur plot ide e iniciativa konkrete për investime nga jashtë, por ka ndodhur ndërhyrja e sekserëve dhe ryshfetxhinjëve të lidhur me politikanët e fuqishëm, të cilët që në start kanë kërkuar 1-3 milion ryshfet si kusht për të startuar një biznes i caktuar. Në të shumtën e rasteve, kanë dështuar këto përpjekje grabitqare të njerëzve të veshur me imunitet dhe akraballëk politik, sepse investitorët kanë zgjedhur një destinim tjetër, kryesisht në Maqedoni dhe Serbi, ku kanë filluar punën e tyre dhe ku janë angazhuar mijëra punëtorë vendorë.
Papunësia në Kosovë është produkt i politikave grabitqare të njerëzve të veshur me pushtet, të cilët vendet e munguara të punës i kanë shndërruar në varre ku dergjen eshtrat e një sistemi të kalbur kleptokrat.
Të merresh me të gjitha këto tema në fushatë, vërtetë është siklet i madh, prandaj disa e kanë zgjedhë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin si target, jo pse ata vërtetë mendojnë se Albini dhe Vjosa janë të dëmshëm, por duan t’i fshehin gjurmët e krimit ekonomik, politik e institucional në këto njëzetë vitet e shkuara. Fundja, duhet të kemi deri dikund mirëkuptim për njerëzit shpresëthyer, sepse nuk ka më keq se kur e sheh fundin dhe nuk mundesh ta parandalosh. Nuk ka më keq se kur e di se sa e gjatë është nata e qëndrimit në opozitë dhe sa të gjata janë ditët e çmontimit të këtij sistemi grabitqar të politikbërjes.
Të gjithë ata që janë kundër këtij çmontimi, sot e shajnë Albinin e Vjosën, edhe përkundër faktit se intimisht dhe parimisht pajtohen me ta. Një ditë do të pajtohen edhe publikisht
Të gjithë ata që janë kundër këtij çmontimi, sot merren me majtizmin e shpifur të Albinit (socialdemokracinë ata e quajnë ekstrem i majtë), por kurrë nuk e shpjeguan “djathtizmin” e politikanëve të pasluftës të cilët erdhën pa brekë nëpër institucione, kurse sot kanë miliarda pa qenë as një minutë në krye të ndonjë gjiganti industrial që ia ka lënë trashëgim babai apo gjyshi. Te këta politikanët e pasluftës bëjnë pjesë edhe disa “djathtistë” të 3%-shit, të cilët kurrë nuk dhanë sqarime dhe raporte mbi udhën e parave të mërgimtarëve tanë, duke e bërë publik dhe transparent destinimin përfundimtar të tyre.
Fenomeni Albin Kurti në politikën kosovare është prodhim i një realiteti trivial që e injektoi klasa e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme politike, prandaj mos e sulmoni djalin, por lëreni të qeverisë në këto dy, tre mandatet e ardhshme dhe këtë mund ta bëni më 14 shkurt duke votuar masovikisht për listën e tij të përbashkët me Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën. Për njerëzit me ndërgjegje të vrarë, dy, tre mandate të qeverisjes së Kurtit mund të zgjasin dy, tre mijë vite, ndërkohë që për njerëzit që kanë pritur ndryshimin, do t’iu duket pakë kohë, sepse me ndreqë atë që është prishë, kërkon jo vetëm mund, sakrificë e dije, por edhe kohë të mjaftueshme.