GLPS-ja kërkon nga partitë politike të arrijnë konsensus për reformën zgjedhore

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur tryezën e diskutimit me temë: “Reforma zgjedhore dhe zgjedhjet: A është reforma zgjedhore prioritet në programet e partive politike?”.

GLPS-ja prezantoi analizën e politikave, në të cilën konsideroi se një reformë zgjedhore është e domosdoshme për të mënjanuar problemet e vazhdueshme në proceset zgjedhore. Në të njëjtën linjë GLPS-ja konsideroi se Projektligji për Financimin e Partive Politike duhet të mbetet prioritet për qeverinë në ardhje dhe i njëjti duhet të mbetet sipas rekomandimeve të shoqërisë civile dhe Komisionit të Venecias.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, Buleshkaj, theksoi se është shumë e rëndësishme se para se të fillojë një proces reformues duhet të bëhet një vlerësim i tërësishëm me të gjitha palët e interesit, duke përfshirë këtu edhe institucionet relevante, në mënyrë që të kontribuohet njëjtë në këtë proces. Po ashtu ai mirëpriti iniciativën, por edhe kontributin e shoqërisë civile për reformat e iniciuara për partitë politike, duke konsideruar një iniciativë të tillë si shumë të rëndësishme drejt rritjes së transparencës financiare.

Në vazhdim Hajdini, përfaqësues i LDK-së, theksoi nevojën për ligje të aplikueshme në praktikë. Ai konsideroi që ekziston një nevojë e madhe për rishikim të Projektligjit për Financimin e Partive Politike, duke gjetur një konsensus të gjerë mes partive ekzistuese. Sipas tij, projektligji aktual ngërthen në vete procedura që janë vështirë të aplikueshme. Ai shtoi se tashmë është evidente se financimi i partive politike ballafaqohet me mungesë transparence dhe mbetet parakusht që të propozohen ndryshimet e nevojshme që projektligji aktual të jetë i zbatueshëm nga i gjithë spektri politik.

Ndërkaq Rrustemi, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, vuri theksin mbi politizimin e tejskajshëm me procesin e reformës zgjedhore, duke potencuar se asnjëherë nuk ka ekzistuar një seriozitet i dëshiruar, por është përdorur më shumë për interesa politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Ndër të tjera, ai tha se vëmendja duhet të vihet në administrimin e proceseve zgjedhore sesa në reformën e sistemit zgjedhor. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme të sigurohen kapacitetet e duhura profesionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ndër të tjera te sigurohet pavarësia e Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike.

Si përfundim, GLPS-ja u bëri thirrje të gjitha partive politike në Kosovë, që të angazhohen në arritjen e një konsensusi të përgjithshëm, për ta çuar vendin drejt një reforme të mirëfilltë zgjedhore dhe përfundimisht të bëjnë përpjekje serioze në ngritjen e transparencës financiare të partive politike.