Zyberaj, i bindur se AKR-ja me LDK-në bashkë do t’i fitojnë zgjedhjet e 14 shkurtit

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, është i bindur se bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), parti me të cilën janë bashkë në një listë, do të jenë fituese të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit.

Zyberaj shpreson që pa vonesa të themelohen institucionet e reja me besueshmëri dhe me legjitimitet të plotë.

“Lista jonë e përbashkët me LDK-në ka për qëllim që t’i fitojë zgjedhjet, janë shumë pak të rëndësishme pastaj ndarjet e brendshme se si rrjedhin, por listën tonë të përbashkët që kemi prezantuar ditëve të kaluara ta nxjerrim fituese”.

Tutje Zyberaj shpjegon edhe për mosmarrëveshjen me LDK-në si pasojë e ndryshimit të listës, i cili thotë që nuk ka asnjë problem në mes të dy partive.

“Ka qenë një keqkuptim në momentin e dorëzimit paraprak të listës së kandidatëve për deputetë, ju siç e dini nga dorëzimi fillestar i listës që ka qenë ditën e shtunë, në orën 18:00 dhe që ekziston një afat kohor prej 24 orëve për përmasime të mundshme, ka ndodhur një lëshim në listën e kandidatëve për deputetë, por i cili nuk nënkupton që ka qenë problemi yni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai problem është zgjidhur dhe nuk ka absolutisht asnjë telash në këtë drejtim e as nuk ka pasur”.

Sipas tij, kanë pak rëndësi ndarjet e brendshme se si rrjedhin, e rëndësishme për ne është që me listën e tyre të nxjerrin më të mirën e mundshme. /EO