Idrizi: Mos kontribuoni në përçarje, PDK-ja po jep shembullin më të mirë si është ta duash vendin

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi, ka kërkuar nga qytetarët që të mos kontribuojnë në përçarje dhe urrejtje, në kohën e parafushatës zgjedhore.

Idrizi përmes një postimi në “Facebook” ka theksuar se duhet respektuar institucionet e vendit, Kushtetutën dhe të mos keqpërdoren ato.

“Me kërcënime, me gjuhë përçarëse e përjashtuese nuk shkohet kërkah o njerëz. Vetëm me program konkret e debat me argumente e kulturë, duke respektu secilin/en, dhe mendimin ndryshe mund të ecim përpara. Kosova është e vogël për të pasë kaq shumë përçarje e smirë mes vete. Ne të gjithë duhet të respektojmë Institucionet e vendit, Kushtetutën e vet, ligjet, e jo t’i keqpërdorim ato, siç po bëjnë disa”, shkruan Idrizi.

Sipas kandidates për deputete, PDK-ja po jep shembullin më të mirë se si është ta duash vendin dhe qytetarët.

“Unë jam krenare se Partia Demokratike e Kosovës – PDK në krye me kryetarin Enver Hoxhaj me shembullin më të mirë edhe në këto zgjedhje po tregon sa e don vendin e vet dhe qytetarët e vet; me program konkret të #Rimëkëmbjes, me listën më të mirë të kandidatëve për deputetë, me gjuhë e sjellje konstruktive, dhe gjithëherë duke respektuar Institucionet dhe Kushtetutën e vendit”, shkruan Idrizi./Zëri