Haradinaj në Podujevë: Aleanca ka plan të qartë për zhvillimin ekonomik
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar sot Podujevën, me ç'rast ka thënë se përpos rëndësisë historike, ky qytet ka edhe rëndësi ekonomike, kulutore dhe turistike.
Haradinaj, në një postim në "Facebook" theksoi se Aleanca ka një plan të qartë e të realizueshëm për tejkalimin e krizës aktuale dhe zhvillimin ekonomik.
"Në takim me strukturat e Aleancës, sot na bashkoi Programi 2021 – 2025, si kontratë e jona me qytetarët e Kosovës. Aleanca ka plan të qartë e të realizueshëm për tejkalimin e krizës aktuale dhe zhvillimin ekonomik. Rikthimi i vendeve të punës, të humbura nga menaxhimi i dobët i situatës pandemike dhe krijimi i vendeve të reja të punës, shfrytëzimi i resurseve të vendit, investimet e planifikuara mirë strategjikisht, janë prioritetet që do të garantojnë tejkalimin e krizës dhe forcimin ekonomik", ka shkruar ai.
Ai po ashtu tha se mobilizimi që ka parë sot te strukturat në Podujevë, është sinjal që qytetarët e Kosovës e përfaqësojnë vizionin e AAK-së për shtet të fortë dhe të sigurt. /Zëri