Shtetet më paqësore në botë për vitin 2020, ja ku radhitet Kosova

Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP) ka publikuar indeksin për shtetet më paqësore në botë për vitin 2020.

Sipas këtij indeksi, paqja globale është përkeqësuar gjatë vitit të kaluar.

Rezultatet e këtij viti tregojnë se niveli i paqes globale u përkeqësua, me rezultatin mesatar të vendit, duke rënë me 0,34 për qind, transmeton “Zeri.info”.

Ky është përkeqësimi i nëntë i paqes në dymbëdhjetë vjetët e fundit, me 81 vende që po përmirësohen dhe 80 regjistrime të përkeqësimeve gjatë vitit të kaluar.

Raporti zbulon një botë në të cilën konfliktet dhe krizat që u shfaqën në dekadën e kaluar kanë filluar të zbuten, vetëm për t’u zëvendësuar me një valë të re tensioni dhe pasigurie si rezultat i pandemisë COVID-19.

Islanda mbetet vendi më paqësor në botë, një pozicion që e ka mbajtur që nga viti 2008. Atë e ndjekin në krye të indeksit Zelanda e Re, Austria, Portugalia dhe Danimarka. Afganistani është vendi më pak paqësor në botë për të dytin vit radhazi, i pasuar nga Siria, Iraku, Sudani i Jugut dhe Jemeni.

Sipas IEP-së, Kosova në nivel global radhitet në vendin e 85-të, duke shënuar një përkeqësim për gjashtë vende nga viti i kaluar, bashkë me vendin tonë radhiten Peruja, Bolivia dhe Kuba, raporton “Zeri.info”.

Ndërsa në nivel të Evropës Kosova radhitet e parafundit, në vendin 35-të, duke e lënë pas vetëm Turqinë, e cila radhitet e 36-ta. /Zëri