Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 – 1981 (IV)

Masakra e Tivarit ishte heshtur deri në vitin 1990

Prof. dr. Agim Zogaj

Megjithatë, masakra serbe e Tivarit ngeli e fshehur nga historia

Çfarë kam thënë në Kongresin themelues të PK-së të Serbisë?

Nimani: Çështjen e vrasjes së ushtarëve shqiptarë rrugës për në Tivar, pra masakrën e Tivarit dhe vetë mënyrën e mbrapshtë, të qëllimshme, të mobilizimit të shqiptarëve në Prizren dhe rrethinë e kam paraqitur vite më vonë edhe në Kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë. Paraqitja e asaj çështjeje, tragjedie për popullin shqiptar nga ana ime ka bërë që në atë kongres edhe disa udhëheqës serbë ta përmendin në fjalën e tyre çështjen e tragjedisë, të vrasjes së rekrutëve shqiptarë në Tivar. Këtë po e them duke shtuar se megjithatë në referatin e udhëheqësve të atëhershëm serbë, Bllagoje Neshkoviq dhe Zharko Veselinov, të paraqitur në të njëjtin Kongres, fare nuk është përmendur çështja e tragjedisë shqiptare në Tivar, por vetëm është folur në aspektin e përgjithshëm edhe për shovinizmin serbomadh në Kosovë, por kur e ka marrë fjalën për herën e dytë Bllagoje Neshkoviq, ndër të tjera, e ka përmendur edhe çështjen e masakrës serbe mbi shqiptarët e mobilizuar në Tivar. Por gjithnjë duke ndërlidhur me ngjarjet që kishin ndodhur në Dallmaci të Kroacisë me rekrutët shqiptarë. Ndërkohë që, menjëherë pas Kongresit themelues të PK-së të Serbisë, çështja e masakrës së shqiptarëve në Tivar më nuk është shtruar në asnjë forum partiak ose në ndonjë forum tjetër shtetëror, as në nivel të Kosovës, Serbisë e as Jugosllavisë. Është i saktë konstatimi juaj se, pas vitit 1945, deri më 1990-n, masakra serbe e Tivarit është heshtur, është fshehur nga historia. I vetmi veprim politik që asokohe është bërë nga ana e udhëheqjes sonë të Kosovës ishte pyetja të cilën me një rast Fadil Hoxha e kishte shtruar lidhur me atë se çfarë masa janë marrë ndaj atyre udhëheqësve të njësive ushtarake, të cilët e kanë organizuar, e kanë kryer mobilizimin e dhunshëm ushtarak ndaj shqiptarëve dhe kanë dhënë urdhra për masakrën ndaj shqiptarëve në Tivar. Në lidhje me këtë pyetje dëshiroj të dëshmoj se shumë vite më vonë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Krahinor të Kosovës, kryetari i të cilit ishte Fadil Hoxha dhe unë nënkryetar, mori vendim që ushtarët shqiptarë, të cilët u vranë në Tivar, si dhe në rrugëtim për në Tivar, por edhe të tjerët, duhet të trajtohen si pjesëtarë të barabartë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si partizanë dhe se me status të tillë t’u njihen të gjitha të drejtat sikur ushtarëve, partizanëve, të cilët ishin vrarë gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare.

Në fjalën time në Kongresin themelues të PK-së të Serbisë kam folur në gjuhën shqipe dhe ndër të tjera e kam vënë theksin te rastet, veprimet e shovinizmit serbomadh, i cili menjëherë pas përfundimit të luftës filloi të paraqitej ndaj popullit shqiptar. Kam folur për devijimet e ndryshme politike që bëheshin në dëm të shqiptarëve dhe me atë rast kam cekur edhe çështjen e vrasjes së shqiptarëve të mobilizuar. Kam tërhequr vërejtjen se ato veprime po krijojnë pikëpamjet dhe mendimet te popullata shqiptare sikur përsëri po kthehet koha e sundimit serb, sikur në Mbretërinë Jugosllave. Pas fjalimit tim ka reaguar Branko Shkembaroviq, i cili më akuzoi se fjalimi im ishte nga pozitat e nacionalizmit shqiptar, duke më pyetur se me kë jam këshilluar për këtë fjalim. Meqenëse patëm një polemikë të ashpër me Branko Shkembaroviqin, u detyrova t’i them se fjalimi i Dushan Mugoshës ishte mbi bazat e nacionalizmit serbomadh, sepse e shtroi çështjen se a duhet që krahas gjuhës serbe në Kosovë të flitet në mënyrë të lirë dhe të barabartë edhe gjuha shqipe.

A mund të thuhet se që nga mbarimi i luftës kishte përplasje midis udhëheqësve shqiptarë dhe atyre serbë e malazezë?

Proklamatat e para i kemi nënshkruar me emërtimin PKSH

Nimani: Më duhet të jem shumë i drejtpërdrejtë e të them se mosbesim ndaj kuadrove shqiptare ka pasur edhe gjatë luftës dhe ato në forma të ndryshme janë paraqitur gjithnjë. Serbët dhe malazezët, pra të cilët ishin nën udhëheqjen e pushtetit popullor, të partisë komuniste dhe të të gjitha niveleve të tjera, i shikonin me dyshime veprimet tona, pikëpamjet tona politike, madje në raste të caktuara bënin gjithçka që ato pikëpamje tona t’i paraqisnin si nacionaliste. Fjala vjen, ne kemi pasur përplasje të mëdha kur u përgatiten proklamatat e para të partisë dhe nga ana e shqiptarëve, komunistëve, partizanëve shqiptarë, u shtrua kërkesa që ato proklamata të mos nënshkruheshin me emërtimin Partia Komuniste e Jugosllavisë, por të ngelte siç ishte fillimisht, vetëm Partia Komuniste Shqiptare. Këto kërkesa ne i kemi pasur të shtruara në mënyrë të hapur në organizatën e Partisë Komuniste në Gjakovë dhe në Prizren. Në veçanti mosbesimi dhe dyshimet ndaj ne komunistëve, partizanëve shqiptarë, filluan të bëhen më të shpeshta pas përfundimit të luftës e sidomos pas ardhjes së Spasoje Gjakoviqit në Kosovë. Spasoje Gjakoviqi, meqenëse kishte pozitë të lartë udhëheqëse, e vuri një sistem të rreptë të kontrollit dhe të dyshimit ndaj kuadrove shqiptare, sidomos ndaj neve të cilët kishim qenë pjesëmarrës dhe organizatorë të Konferencës së Bujanit. Këto përplasje, ky mosbesim, ato dyshime e deri në aplikimin e sistemit të përgjimit kanë vazhduar deri në Plenumin e Brioneve 1966, kur u rrëzua nga pushteti Aleksandar Rankoviq. Pastaj, nëpër arkiva janë gjetur telegrame, letra, informata, të cilat Spasoje Gjakoviq ia kishte dërguar Aleksandar Rankoviqit kundër Fadil Hoxhës, kundër meje dhe shumë kuadrove shqiptare.

Shovinizmi serbomadh ishte aktivizuar pas mbarimit të luftës...

Bashkëpunimi i UDB-ashit, Spasoje Gjakoviqit me Aleksandar Rankoviqin

Ndër personat udhëheqës të asaj kohe, të cilët vepronin nga pozitat e nacionalizmit serbomadh, ne i njihnim: Spasoje Gjakoviq, Dushan Mugosha, Predrag Ajtiq, Pavle Joviqeviq, Milija Kovaçeviq, Gjoko Pajkoviq, Qedomir Mijoviq etj. Të gjithë këta persona kishin qenë pjesë e organizimit të masakrës së Tivarit, të aksionit të mbledhjes së armëve, të organizimit të Procesit të Prizrenit, të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, pra të gjitha veprimeve që ishin kundër përparimit të shqiptarëve të Kosovës. Për shembull, sa i përket Procesit të Prizrenit, realizuesi i tij ishte Qedomir Mijoviq, së bashku me Dushan Mugoshën dhe udhëheqësit e sigurimit shtetëror të Serbisë, si dhe Aleksandar Rankoviqi. Procesi i Prizrenit, i cili ishte krejtësisht i montuar kundër shqiptarëve, siç u dëshmua pas vitit 1966, ishte ndër proceset më të rënda që i kishte organizuar sigurimi shtetëror serb, jugosllav, pikërisht në këtë kohë Gjoko Pajkoviq ishte transferuar me detyrë në Beograd, kurse Dushan Mugosha erdhi në Kosovë dhe u zgjodh sekretar i partisë. Pjesë e këtyre veprimeve ishte edhe Pavle Joviqeviq, i cili, siç dihet, pas vitit 1981 pati një rol të madh antishqiptar kundër Kosovës. Ne kuadrot shqiptare pas një periudhe të caktuar filluam t’i kuptonim veprimet e nacionalistëve serbë e malazezë, mirëpo sidomos deri në vitin 1966 nuk kemi pasur përkrahje në asnjë nivel dhe nuk kemi pasur adresë ku do t’i paraqitnim ato shqetësime. Në shumicën e rasteve kemi biseduar individualisht me njëri-tjetrin si kuadro shqiptare, por nuk kemi pasur hapësirë dhe ambient politik, pra deri në vitin 1966 që t’u kundërviheshim më fuqishëm veprimeve të nacionalistëve serbë e malazezë. Për këtë flet edhe rasti i Procesit të Prizrenit, një proces i montuar, në mënyrë sekrete nga shërbimi sekret serb/jugosllav UDBA, proces në të cilin ishin përmendur emrat e ne udhëheqësve shqiptarë. Megjithatë, ne kuadrot shqiptare: unë, Fadili, Ymer Pula, Nebih Gashi, Alush Gashi, Xhevdet Hamza, Ramadan Vraniqi etj., bënim përpjekje që aq sa ishte e mundur të rezistonim dhe të kundërshtonim politikat e nacionalistëve serbë dhe malazezë, por ishte vështirë, sepse fjala vjen që pas mbarimit të luftës sekretari i Partisë në Kosovë ishte i përkatësisë serbe ose malazeze. Prandaj, me një takim ku ishim prezentë unë dhe Fadil Hoxha, me kuadrot serbe dhe malazeze të nivelit të Republikës së Serbisë, të dy kërkuam që jo vetëm nuk është mirë të qëndrojë në detyrën e sekretarit të PK-së të Kosovës Dushan Mugosha, por është mirë të shkojë në Beograd në ndonjë funksion tjetër. Serbët dhe malazezët, të pranishëm në takim, na shikuan me habi, kurse Sllobodan Peneziq Kercun, udhëheqës i lartë politik i Serbisë, dukshëm i nervozuar, duke reaguar kundër neve tha: “Derisa në Kosovë të jetë sekretar i Partisë Dushan Mugosha unë fle i qetë”. Kurse Dushan Mugosha, i cili ishte në takim, iu drejtua Fadil Hoxhës duke i thënë: “Përse ti Fadil të jesh më kosovar sesa unë, kur dihet se ke jetuar në Shqipëri, je shkolluar në Shqipëri dhe nga Shqipëria ke ardhur në Kosovë?”. Meqenëse biseda u ashpërsua, sidomos mes meje, Fadilit dhe Kercunit, udhëheqësi i takimit, Zharko Veselinovi, e mbylli mbledhjen. Ndërsa disa ditë më pas unë dhe Ymer Pula përsëri shkuam në takim te Zharko Veselinovi, të cilit ia paraqitëm një varg të tërë vërejtjesh. Më kujtohet se, ndër të tjera, në një takim zyrtar në Beograd unë dhe Ymeri publikisht shtruam pyetjen: Na thoni edhe ju si udhëheqës serbë e malazezë, si të shpjegohet që prej çlirimit e deri më sot sekretari i Partisë në Kosovë është ose serb, ose malazez, kur dihet se 90% e popullatës jemi shqiptarë.

- Vijon të hënën e ardhshme -

FEJTON EKSKLUZIV PËR GAZETËN “ZËRI”. TË GJITHA TË DREJTAT PËR RIBOTIM JANË TË REZERVUARA!