Garat e ardhshme kualifikuese të sportistëve kosovarë për Lojërat Olimpike Tokyo 2020

Gjashtë mujori i vitit 2021 pritet të përcaktojë numrin e sportistëve që do të përfaqësojnë vendin tonë me normë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të shtyra për një vit shkaku i pandemisë Covid 19.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë, njofton KOK, përcjell "Zeri.info".

30 qershori është data e fundit për zhvillimin e garave që vlejnë për kualifikim, ndërsa numri i garave në shumë sporte është limituar shkaku i pandemisë.

Deri më tani, ekipi Olimpik i Kosovës numëron gjashtë norma Olimpike, përfshirë pesë të xhudos që ndodhen brenda normës, si dhe një të mundjes të konfirmuar edhe zyrtarisht.

Komiteti Olimpik i Kosovës sjell më poshtë garat e ardhshme, në të cilat pritet të marrin pjesë sportistët tanë.

Kujtojmë që KOK u jep 19 sportistëve elitarë bursa Olimpike Tokio 2020, falë edhe mbështetjes nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Xhudo

Sportistët më të suksesshëm në vendin tonë i pret një orar i ngjeshur i garave, si Grand Slam, Masters, Kampionati Evropian, e së fundi është shtuar edhe Kampionati Botëror. Të gjitha këto gara sjellin pikë Olimpike.

Xhudistët e nisin vitin me garën e Mastersit të Dohas së Katarit, që mbahet prej 11-13 janar. Kjo është njëra ndër garat më të mëdha në sportin e xhudos, pasi të drejtë pjesëmarrje kanë vetëm garuesit e renditur në 30 pozitat më të mira.

Gara e ardhshme e konfirmuar është Kampionati Evropian që mbahet në Lisbon të Portugalisë, prej 16-18 prill. Federata Ndërkombëtare e Xhudos, të enjten ka konfirmuar edhe Botërorin, i cili do të mbahet prej 6-13 qershor në Budapest të Hungarisë.

Krahas tyre, gara tjera të xhudos, janë edhe pesë Grand Slame si: Tel Avivi i Izraelit (18-20 shkurt), Tashkent i Uzbekistanit (5-7 mars), Tbilisi i Gjeorgjisë (26-28 mars), Antalia e Turqisë (1-3 prill) dhe Parisi i Francës (8-9 maj).

Brenda normës Olimpike në sportin e xhudos ndodhen: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova, kurse normën e gjashtë po e kërkon edhe Laura Fazliu.

Mundje

Mundja ka siguruar prej muajsh një normë Olimpike, falë Egzon Shalës. Në muajt në vijim normën do ta kërkojë edhe Edon Shala, vëllai i Egzonit. Turneu kualifikues evropian mbahet në Budapest të Hungarisë, prej 18-21 mars. Ndërsa, turneu kualifikues botëror është paraparë të mbahet prej 6-9 maj në Sofje të Bullgarisë. Mundja para Lojërave Olimpike e ka edhe Kampionatin Evropian, që prej 19-25 prill mbahet në Varshavë të Polonisë

Boks

Dy janë garat në të cilat boksi kërkon të paktën një normë Olimpike. Turneu kualifikues Olimpik Evropian i Londrës do të mbahet prej 22-26 prill. Ky turne ishte ndërprerë në gjysmë shkaku i pandemisë, ndërsa boksierja jonë Donjeta Sadiku kishte fituar luftën e parë. Asaj i duhet të fitojë luftën e ardhshme me suedezen Agnesa Lexiussion. Nëse e fiton këtë luftë, i mbetet që të paktën njërën nga dy luftërat e ardhshme të shënojë fitore, e cila do t’i siguronte normën Olimpike.

Rastin tjetër Donjeta e ka në muajin qershor, ku mbahet turneu kualifikues botëror. Turneu është paraparë të mbahet në Paris të Francës, por që data nuk është caktuar ende. Në këtë turne mund të marrin pjesë edhe boksierët tjerë, Patriot Behrami, Shpëtim Bajoku e Besart Pireva, të cilët u eliminuan nga turneu i Londrës.

Karate

Karate ende nuk ka ndonjë normë Olimpike dhe shpresat më të mëdha për ta fituar atë mbesin tek turneu kualifikues, që mbahet prej 11-13 qershor në Paris. Në këtë garë, cilido nga garuesit tanë që do të fitojnë medalje, do ta prejnë biletën për në Tokio.

Paraprakisht, karateja ka edhe tri gara tjera që sjellin pikë Olimpike. Premier Ligat e “Lisbon 2021” (19-21 shkurt), “Baku 201” (12-14 mars), “Rabat 2021” (9-11 prill), janë tri garat e ardhshme. Pas tyre vjen Kampionati Evropian, që mbahet në Poreq të Kroacisë prej 19-23 maj.

Normën Olimpike karateja po e ndjek me Herolind Nishevcin, Elhami Shabanin, Fortesa Oranën e Adelina Ramën.

Noti

Noti shpreson të fitojë një normë Olimpike me Arti Krasniqin, i cili në vitin 2019 la Kombëtaren e Gjermanisë, për të përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare. 20-vjeçari që jeton në Gjermani, garon në ujëra të hapura. Ai synon që ‘biletën ta prejë’ në disiplinën 10 km. Maratona e notit në këtë disiplinë, kualifikuese për Tokio 2020, mbahet në Fukuoka të Japonisë, më 29 dhe 30 maj.

Deri atëherë Arti dhe notarët tjerë kosovarë do të garojnë edhe në disiplina të ndryshme, por që gjasat për kualifikim këtu janë minimale.

Atletika

Edhe atletët tanë i presin gara të shumta ndërkombëtare. Për dallim nga sportet tjera, në atletikë vlenë rezultati i çfardo gare ndërkombëtare për të fituar normën Olimpike. Bazuar në rezultatet e deritashme, gjasat për të fituar normë Olimpike nga sporti i atletikës janë minimale.

Sidoqoftë, atletët tanë do të kërkojnë suksesin fillimisht në Kampionatin Ballkanik të Sallës që mbahet në muajin e ardhshëm në Stamboll të Turqisë, kurse prej 4-7 mars do të marrin pjesë në Evropianin e Sallës që mbahet në Torun të Polonisë.

Gara të shumta i presin edhe në qershor, si Kampionati Evropian i Shteteve në Zhvillim, që mbahet në San Marino, Kampionati Evropian Ekiporë i Ligës së Tretë, Kampionati Ballkanik në Novi Pazar etj.

Shigjetaria

Edhe shigjetaria përmes garuesve të saj, Atdhe Luzhnica, Hazir Asllani, Ardita Zenullahu, Edi Dvorani e Drenis Mala, do të mundohen të fitojnë pikë Olimpike në garat e ardhshme. Ata në qershor i pret Kupa e Botës, që mbahet në Paris të Francës prej 22-27 qershor 2020.

Shenjëtaria Sportive

Normën po e kërkojnë edhe shenjëtarët, të cilët synojnë të qëllojnë cakun gjatë vitit 2021. Edhe pse gjasat për kualifikim janë të vogla, ata nuk janë dorëzuar dhe suksesin do ta kërkojnë në Kampionatin Evropian, që mbahet prej 26 shkurt deri më 8 mars në Lohja të Finlandës.

Shenjëtarët, Drilon Ibrahimi, Urata Rama dhe Lumturie Rama, pritet të marrin pjesë edhe në gara tjera, në mënyrë që të fitojnë sa më shumë pikë Olimpike. /Zeri.info