Bashkohen Fiati, Chrysleri, Peugeoti dhe Citroeni
Fiat Chrysler dhe francezi PSA, grupi që zotëron Peugeot dhe Citroen, tani do të jenë një pasi aksionerët miratuan shkrirjen për të formuar Stellantis, grupin automobilistik të katërtin, më të madh në botë.
Marrëveshja vjen dy vite pas fillimit të bisedimeve. Kompania e shkrirë do të mbledhë bashkë marka si Peugeot, Citroen dhe Vauxhall nga PSA me Fiatin, Jeep-in dhe Chryslerin. Kompania e re që do të quhet Stellantis e që do të thotë, të shkëlqesh me yjet, do të ketë 14 marka makinash nën një çati, përfshirë edhe lojtarë të mëdhenj si Maserati dhe Alfa Romeo.
Drejtuesit tani presin që shkrirja të finalizohet deri në fund të marsit dhe sipas tyre, ajo do të sigurojë reduktime domethënëse në kosto. Sidoqoftë ka edhe shqetësime për mbylljen e mundshme të disa fabrikave, përfshirë ato të Vauxhallit që punëson 3 mijë persona në Britaninë e Madhe. Pavarësisht se krijon grupin e katërt më të madh në botë të prodhimit të makinave, kritikët argumentojnë se të qenit më i madh nuk do të thotë automatikisht se është më mirë.
Tesla është përdorur shpesh si shembull që tregon se edhe pse ka prodhim relativisht më të vogël, krahasuar me rivalët, ka një vlerë më të madhe në treg. Stellantis sidoqoftë do të renditet pas VW-së, aleancës Renault Nissan Mitsubishi dhe Toyotës. Bosët shpresojnë se grupi do të marrë më shumë fuqi për të konkurruar me rivalët ndërkohë që do të fokusohet tek kina, tregu më i madh në botë ku 21 milionë makina shiten çdo vit./tch