Ilir Tolaj lirohet nga të gjitha akuzat për korrupsion

Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuzat për korrupsion ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Ilir Tolaj.

Kësisoj, kolegji i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Driton Muharremi, Abdullah Ahmeti dhe Shqipe Qerimi, ka vendosur të refuzojnë ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ta lërë në fuqi aktgjykimin lirues të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ishin liruar nga akuzat për korrupsion edhe të akuzuarit Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari.

“Mund të konfirmoj se ankesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, është refuzuar si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 06.06.2018 është vërtetuar”, thuhet në përgjigjen e Jasharit.

Ky aktgjykim i Apelit vjen pasi rasti ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme.

Paraprakisht, në shkurt të këtij viti, një kolegj tjetër i Apelit në përbërje nga gjyqtarët, Kreshnik Radoniqi, Tonka Berishaj dhe Burim Ademin kishin përmbysur aktgjykimin lirues të Themelores dhe Tolajn e kishin dënuar tre vjet burgim efektiv për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Apeli e kishte dënuar me dy vjet e katër muaj burgim edhe të akuzuarin Bekim Fusha, ndërsa me dy vjet e tetë muaj burgim e kishte dënuar të akuzuarin Zenel Kuqi.

Gjithashtu, shkalla e dytë i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, në një periudhë verifikimi prej një vjetësh, edhe të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin.

Mirëpo, ky aktgjykim i Apelit ishte anuluar nga Gjykata Supreme e cila rastin e kishte kthyer në rivendosje në Apel.

Sipas Gjykatës Supreme, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sipas dispozitës së nenit 384 par.1 nënpar.1.12 të KPPK-së, përkatësisht nenit 370 par.7 të KPPK-së, meqë gjykata e shkallës së dytë nuk ka dhënë arsyetim ligjor me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike dhe veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarve.

Po ashtu, sipas Supremes, në arsyetimin e aktgjykimit nuk është përshkruar aspekti i bashkëkryerjes, përkatësisht se si është manifestuar bashkëkryerja, cili nga të akuzuarit kishte rolin primar dhe cili rolin sekondar në kryerjen e veprës penale apo më konkretisht të theksohet roli thelbësor dhe kontributi i secilit të akuzuar siç përcakton dispozita e nenit 31 të KPRK-së.

Sipas Supremes, ka mbetur e paqartë dhe e pa definuar se cila ka qenë mënyra e përcaktimit të dëmit të shkaktuar përkatësisht përfitimit të operatorit ekonomik “KMI” në shumë prej 400.000 € si dhe fakti se Apeli nuk ka qartësuar faktin se të akuzuarit a kanë vepruar me veprim apo mosveprim.

Sipas vlerësimit të Supremes, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë ka mangësi në definimin e dashjes përkatësisht qëllimit të të akuzuarve për kryerjen e kësaj vepre penale e cila në fakt paraqet elementin konstituiv të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së dhe në këtë aspekt vazhdon aktgjykimi i Supremes, vërehet se arsyetimi i theksuara në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë është mjaft i ngushtë dhe sipërfaqësor përkundër faktit se vepra penale në fjalë kryhet vetëm me dashje direkte.

Në rigjykim, Supremja e kishte udhëzuar Apelin që duhet të veproj në pajtim me vërejtjet e dhëna në këtë aktgjykim dhe të administroj provat ekzistuese e sipas nevojës edhe prova tjera e pas kësaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo juridike.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2018, i kishte shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn, Zenel Kuçin, Bekim Fushën, Valentina Haxhijajn, Florije Tahirin dhe Remzije Thaqin.

Ndryshe, gjykimi në shkallën e parë ndaj Ilir Tolaj dhe të tjerëve kishte zgjatur më shumë se dy vjet, e deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor ishin ndërruar tre prokurorë.

Prokurori Admir Shala, i cili kishte ngritur aktakuzën ndaj Ilir Tolajt, Zenel Kuqit, Bekim Fushës, Valentina Haxhijaj, Florije Tahirit dhe Remzije Thaqit në fillim të vitit 2017, ishte zgjedhur Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren, andaj lënda e tij kishte kaluar të prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami.

Shumë shqyrtime kishin dështuar të mbahen me kërkesë të prokurorit, e të palëve, derisa në fund prokurorja Florije Shamolli kishte marr përfaqësimin e aktakuzës së ngritur nga prokurori Shala.

Ndryshe, ky rast ishte një nga rastet e shënjëstruara për liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, akuzohen se kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë euro. Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj./EO