Inspektoriati Policor është duke hetuar rrethanat e përdorimit të armës nga një zyrtar policor sot në Graçanicë

Pas raportimit në media se sot rreth orës 17:00 në Graçanicë, një zyrtar policor ka shtënë me armë zjarri drejt një personi, Inspektoriati Policor i Koosvës ka njoftuar se është duke hetuar rastin, raporton Zeri.info

Inspektoriati Policor i Kosovës bën të ditur se dyshohet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri ndaj të një të dyshuari i cili ka qenë i ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës e që i njëjti ka ikur me ndihmën e një të dyshuari tjetër i cili ka qenë duke pritur me një automjet aty afër.

Sipas IPK-së, gjatë përdorimit të armës së zjarrit është qëlluar shoferi i makinës cili më vonë ka shkaktuar aksident gjatë ikjes.

Ndërkaq, personi i qëlluar me armë zjarri është dërguar nga policia për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë.

“Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitë tjera relevante dhe institucionet përkatëse janë duke punuar drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti dhe rreth asaj se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare. Zyrtari policor (i stacionit policor të Graçanicës) është dërguar në objektin e IPK-së për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit me dyshimin për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.

Në njoftim po ashtu thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. /Zëri