Hiqet emërtimi serb i kishës në Drenicë, reagon Sava Janjiqi

Kryepopi i Kishës Ortodokse të Decanit, Sava Janjic, ka bërë një reagim të panevojshëm dhe propagandues në rrjetin social Facebook pasi shenja e një kishe në fshatin Banjë të Skenderajit është ndërruar.

Aty është larguar mbishkrimi serb dhe tani figuron vetëm në gjuhën angleze dhe shqipe.

Prifti serb aludon se po sulmohet Serbia me këto gjeste dhe se ofendohet populli serb.

“Provokimet më të shpeshta që synim kanë trashëgiminë ortodokse serbe në Kosovë dhe Metohi tregojnë vetëm qëndrimin e vërtetë ndaj popullit serb, kulturës dhe shpirtit të tij. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë të bindësh botën për përrallat e tyre pas gjithë atyre skenave të tmerrshme të përdhosjes së kishave dhe kryqeve në 20 vitet e fundit, jo në kohën e luftës, por në kohën e paqes. Ne vetëm mund të shpresojmë që një zë zyrtar i arsyes të dëgjohet se nuk është rruga e pajtimit, por nga sa mund të shoh, ata që mund të thonë diçka heshtin. Është e rëndësishme që të gjithë këta shembuj të dokumentohen dhe t’u paraqiten përfaqësuesve ndërkombëtarë. Provokimeve të ulëta dhe primitive duhet t’u jepet përgjigje me përgjegjësi dhe ndjeshmëri”, shkroi ai.